12 metër kub lëndë piroteknike me fuqi të lartë shpërthyese të rrezikshme janë sekuestruar nga policia. Është arrestuar personi që i zotëronte ndërkohë që kontrollet vazhdojnë në të gjithë vendin.
Deklarata e Policisë së Shtetit
Shtohen masat për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Masat e shtuara konsistojnë në rritjen e kontrollit të territorit, për zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në prag të festave.
Evidentohet nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, një magazinë me sasi të mëdha lëndësh piroteknike.
Sekuestrohet një sasi prej 12 metër kub lëndë piroteknike me fuqi të lartë shpërthyese të rrezikshme për jetën e qytetarëve.
Vihet në pranga poseduesi i lëndëve i lëndëve piroteknike, si dhe procedohet penalisht pronarja e subjektit që i kishte i vënë në dispozicion ambientin për magazinimin e tyre.
Gjatë kontrolleve të nisura që prej fillimit të muajit dhjetor, në të gjithë vendin janë konstatuar e goditur edhe disa raste të tjera në Dibër, Tiranë, Durrës, Lezhë, Korçë etj, ku janë proceduar penalisht 5 shtetas.
Strukturat e Policisë në të gjithë vendin, bazuar në Ligjin “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”, Urdhrit të MB “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, urdhrit të përbashkët të MB, MM dhe MFE “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, si dhe në telegramin e DPPSH “Për zbatimin e kërkesave të rregullores “Për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, kanë ushtruar kontrolle në vijimësi për këtë qëllim.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, si dhe pas një hetimi dyjavor nga strukturat e krimit ekonomik, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë, gjatë paradites së sotme, në një objekt të përshtatur si magazinë, tek tregu ushqimor në Qytetin e Nxënësve, kanë gjetur të magazinuara jashtë çdo kushti të sigurisë teknike dhe të futura kontrabandë, një sasi të madhe lëndësh piroteknike, me fuqi të lartë shpërthyese të rrezikshme për jetën e qytetarëve në rast përdorimi nga ana e tyre.
Pronari i magazinës, shtetasi V. M., 36 vjeç, i kishte futur këto sasi të mëdha lëndësh piroteknike në mënyrë kontrabandë nga Kosova, duke i futur në ambalazhe ushqimore.
Shtetasi V. M. dhe shtetasja E. Sh. u shoqëruan në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. M., si dhe u procedua penalisht shtetasja E. Sh., për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve, vulave, stampave dhe formularëve”, “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelje e të drejtës së pronësisë industriale”.
Vetëm javën e fundit në të gjithë vendin janë kontrolluar 378 subjekte (dyqane të ndryshme, makete apo supermarkete), si dhe tregje të shumicës.
Me qëllim krijimin e mjedisi të sigurt për qytetarët, marrjen e masave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, për parandalimin e shkeljeve dhe ngjarjeve të ndryshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit iu ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë të intensifikojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe të monitorojnë zbatimin e masave anticovid.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në komisariatin dighital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke u garantuar ruajtje të anonimatit dhe reagim të shpejtë e të paanshëm. Njëkohësisht, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të bizneseve që të respektojnë masat anticovid në interes të shëndetit të qytetarëve dhe të festojnë ndërrimin e viteve në shtëpitë e tyre, pasi nuk do lejohen daljet nëpër rrugë e sheshe.
Top Channel