Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duket se po kërkon t’i zbusë tensionet me perëndimin.
Ai deklaroi së fundi se Turqia shpreson “të hapë një faqe të re” në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian dhe se Ankaraja është subjekt i standardeve të dyfishta edhe nga aleati i NATO-s, Uashingtoni, por edhe nga blloku evropian. Nga ana tjetër megjithatë, nuk la pa e fshikulluar gjykatën evropiane të të drejtave të njeriut për thirrjet e saj lidhur me lirimin e liderit politik kurd, Selahattin Demirtas, të burgosur prej katër vitesh.
“Në një kohë kur këtu ende nuk janë shterur të gjitha sfidat ligjore, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut bën një lëvizje të tillë. Këto hapa janë tërësisht politikë”, tha Erdogan.
Këtë muaj, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Turqisë, për shkak të blerjes së sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia dhe BE-ja po ashtu po përgatit masa ndaj Turqisë, për shkak të eksplorimeve për gaz që ka kryer në ujërat e Greqisë dhe Qipros. Megjithatë, vendimi për sanksione më të plota ndaj Turqisë nga blloku evropian është shtyrë për në muajin mars.
Duke folur para ligjvënësve të partisë në pushtet AK, Erdogan tha se “axhendat artificiale” kanë vënë në sprovë marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-në dhe BE-në më 2020, por shtoi se shpreson që raportet do të përmirësohen. Sanksionet amerikane erdhën në një moment të ndjeshëm në marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Uashingtonit, teksa pritet që presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden të bëjë betimin në 20 janar.
Top Channel