Trafikantët e njerëzve po i ofrojnë një ulje që shkon deri në 300 paundë për kokë emigrantëve që duan të kalojnë kanalin e La Manshit e të hyjnë në Britani, shkruajnë mediat vendase.
Duke cituar burime të sigurisë, ato thonë se njerëzve po u ofrohet “një ulje çmimi për Krishtlindje”, teksa forcat kufitare angleze përgatiten për një shtim të kalimeve të paligjshme gjatë periudhës festive.
Raportet e inteligjencës sugjerojnë se kostoja mesatare për emigrantët është rreth 500 deri ne 1000 paundë, ndërsa disa banda tani ofrojnë marrëveshje, sipas të cilave zotohet t’ua mundësojnë klandestinëve kalimin edhe më 300 paundë.
Përpara pandemisë, çmimet mund të mbërrinin deri në 4000 paundë për një udhëtim. Kjo do të thotë se kalimet e paligjshme në këtë rrugë tashmë janë gati sa një e dhjeta e çmimit që kishin në janar. Burime nga Home Office thanë se “këta kriminelë nuk do të ndalojnë përpara asgjëje për të dërguar në mënyrë të paligjshme njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa u vënë dhe në rrezik jetën plot grave e fëmijëve përmes një kalimi vdekjeprurës si ky”.
Vitet e kaluara, numri më i madh ditor i hyrjeve ilegale në Mbretërinë e Bashkuar është regjistruar pikërisht në ditën e Krishtlindjeve dhe në Boxind Day, kur ka më pak oficerë në detyrë.
Top Channel