Gjenerali i ushtrisë i ngarkuar me shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit në SHBA, ka pranuar se ka dështuar të dërgojë në çdo shtet numrin e premtuar të dozave. Gjenerali Gustave Perna, shef i operacionit Warp Speed, tha se ai merr përgjegjësi personale për problemin përballë guvernatorëve të shteteve.
Mbi 12 shtete kanë shprehur alarmin për një sasi më të vogël vaksinash nga ato të pritshme. Dozat e Pfizer dhe Biontech po shpërndahen pas miratimit dhe tani edhe vaksina e Modernës është e miratuar në SHBA.
Vendi ka regjistruar më shumë se 17.5 milionë infektime nga 76 milionët e konfirmuar në të gjithë globin që nga fillimi i pandemisë dhe mbi 315 mijë viktima. Të dyja këto shifra janë më të lartat në botë sipas universitetit Johns Hopkins.
Të dyja vaksinat e miratuara tashmë në shba thuhet se janë rreth 95 për qind efektive. Programi i vaksinimit në SHBA synon ndërkohë të arrijë 100 milionë njerëz deri në prill.
Top Channel