Shkurta nga Prishtina, rreth të tridhjetave, thotë se babai i saj ka ndarë pasurinë për fëmijët, por sipas rrëfimit të saj, ndarja e një pjesë të pasurisë nuk ishte bërë në mënyrë të barabartë.

“Babi im kur e ka ndarë pasurinë, djemve ua ka lënë nga 60 ari tokë, kurse neve tri motrave nga 20 ari, që po i bie se edhe neve na ka dhënë pasuri. Ka bërë dallim sepse djemtë kanë përparësi te ne shqiptarët, por në rrethana normale nuk duhet të kenë. Shqiptarët e kanë atë të veten, që djemtë i dallojnë nga vajzat dhe u japin përparësi”, thotë Shkurta.

Ajo mendon se pavarësisht rrethanave dhe respektimit të traditës shqiptare, gjeneratat e reja, gratë, duhet të jenë më këmbëngulëse në përvetësimin e pasurisë që i takon si nga ana e prindërve po ashtu edhe te bashkëshorti.

“Ne femrat në përgjithësi qetësohemi e bëjmë kabull [pranojmë] mos ta humbasim vëllanë për pasuri, [në raste të caktuara] vëllai në një farë mënyre të ‘kushtëzon’ nëse e merr t’i hisen nuk vjen te unë, e të tjera gjëra”, thotë Shkurta.

Kurse, Dardanja nga Prishtina, mendon se pasuria e prindërve, duhet të ndahet në mënyrë të barabartë te fëmijët, por sipas saj, nëse ndonjë anëtare e familjes, shembull motra ka kushte më të dobëta ekonomike te bashkëshorti, duhet t’i jepet asaj më shumë.

“Kisha preferuar, për shembull nëse një nga motrat e mija nuk i ka kushtet e mira, të ja jepnim asaj, e jo ta marrë unë [pjesën e pasurisë]. Nëse unë kam pasuri te burri, pse ta marr, kur nuk më duhet asgjë? Nëse motra ka nevojë më shumë, pse ta marr unë pa nevojë”, tha ajo.

Çështja e pjesëmarrjes në trashëgiminë familjare nga ana e grave vazhdon të mbetet në suazat e tabusë brenda vetë familjeve, ndonëse kjo çështje formalisht, nuk është tabu në kuadër të trajtimit ligjor dhe institucional.

Në Rrjetin e Grave të Kosovës dhe në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore thonë se të drejtat e grave mbeten një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, veçmas në lidhje me të drejtën e tyre për ta trashëguar pronën dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në ekonomi.

Ligjet e Kosovës, sipas organizatave, garantojnë të drejtat e barabarta për burrat dhe gratë, por ndikimi i kulturës, traditës, kushtet ekonomike dhe niveli i arsimimit kanë ndikuar kundër arritjes së barazisë së paraparë me ligj.

“Gjendja në raport me implementimin e ligjit mbi trashëgiminë ende çalon dhe përmirësimet janë tejet të pakta. Ka përmirësime në aspektin e fushatave vetëdijësuese dhe ngritjes së nivelit të njohurisë për të drejtën e grave në pronë, mirëpo numri i grave që e realizojnë këtë të drejtë, është tejet i vogël”, thonë në Rrjetin e Grave të Kosovës, i cili avokon për të drejtat e grave.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga ky Rrjet shtojnë se problemet janë të shumta, dhe ato kanë shtrirje edhe institucionale.

“Problem kyç mbetet mentaliteti rrënjësisht patriarkal, i cili gruan nuk e konsideron të denjë për trashëgim të pronës, qoftë nga ana e familjes së saj apo nga ana e bashkëshortit”.

Sipas një hulumtim të Rrjetit të Grave, i publikuar në vitin 2018, ndonjëherë gratë përjashtohen nga e drejta e trashëgimit të pasurisë nga familja e lindjes.

Vlerësohet se rreth 19% e grave heqin dorë nga të drejtat e tyre pronësore ose të trashëgimisë.

Faktorët që kontribuojnë që gratë të heqin dorë nga e drejta e tyre për pronë ose trashëgimi përfshijnë: frikën e bartjes së pronës së familjes ku kanë lindur te familja e bashkëshortit të tyre (12%); dhe arsye të tjera (18%), të tilla si: “unë nuk dua hise nga prindërit e mi”; “unë dua të krijoj pasuri me familjen time/me familjen e burrit”; “dëshirë personale”; dhe “mundësia e krijimit të armiqësisë në familje”.

Sipas hulumtimit të kësaj organizate, vetëm 15 % është numri i transaksioneve të pronave në emër të grave.

Kërkohet ndryshimi i ligjit për të pamundësuar heqjen dorë nga trashëgimia

Shqetësimi kryesor sipas Rrjetit të Grave thuhet se është mbizotërimi i akteve të heqjes dorë prej grave për të drejtat trashëgimore, posaçërisht në zonat rurale.

“Për këtë problem, RrGK dhe organizatat anëtare kanë propozuar amendamentimi e Ligjit për trashëgiminë, duke e hequr plotësisht nga ligji nenin që lejon heqjen dorë nga trashëgimia, si dhe vendosjen e një tarife të lartë që do t’u kushtonte grave që duan të heqin dorë. Kjo do t’i bënte gratë automatikisht trashëgimtare dhe do të ishte një masë e përkohshme afirmative deri në arritjen e barazisë gjinore në aspektin e trashëgimisë”, thonë në Rrjeti i Grupit të Grave.

Nga ana ligjore, neni 7.2 i Kushtetutës së Kosovës ndalon në mënyrë të qartë diskriminimin e grave. Për me tepër, neni 22 përcakton se Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas është përfshirë shprehimisht në ligjet e Kosovës. Megjithatë, pavarësisht nga masat mbrojtëse legjislative për gratë, ende vazhdon tradita kulturore e dhënies së përparësisë ndaj trashëgimtarëve meshkuj.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë për Radion Evropa e Lirë se krahas ekzistimit të infrastrukturës ligjore, Kosova në kontekstin e të drejtave të grave për trashëgimi, përballet me zbatim të dobët të ligjit për trashëgimi.

“Çështja trashëgimisë edhe çështja e grave si pronare në Kosovës, ende është e nivelit të ulët, gratë trashëgojnë diku 4% e pasurisë nga prindërit e tyre dhe kjo shifër nuk ka ndryshuar qe disa vite. Po ashtu, gratë si pronare janë rreth 15%. Nuk ka ndryshuar në vite, ka 18 vjet që përqindja është 13 deri 15%. Kështu që është shifër shumë e ulët në krahasim me burrat”, tha Demolli.

Faktorët që ndikojnë në uljen e numrit të grave për të trashëguar pronësinë, sipas organizatave joqeveritare, janë vazhdimësi e pozitës së pafavorshme të gruas në shoqërinë kosovare.

“Gratë punët të cilat i kryejnë janë kryesisht punë të cilat kanë një pagë minimale. Profesionet që ato angazhohen janë profesione të cilat janë tipike sterotip që i ofrohen angazhimit të tyre që e kanë në shtëpi. Më shumë gratë janë në administratë, më shumë gratë janë të punësuara si infermiere, që nuk u shkëputet roli i tyre si kujdestare në shtëpi dhe si mësuese”, tha Demolli.

Sipas Ligjit për trashëgimi, trashëgimtarët ligjorë sipas nenit 11, janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat./REL.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA