Biden prezanton ekipin e tij për mjedis, sinjalizon se ndryshimet klimatike do të jenë prioritet

20/12/2020 10:14
Joe Biden

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka prezantuar ekipin e tij për mjedis dhe energji, duke thënë se ata do të jenë pjesë e “planit ambicioz për të adresuar kërcënimin ekzistencial të kohës sonë – ndryshimet klimatike”.

Duke folur në një ngjarje të organizuar në Uillmington të Delauerit, Biden tha se ndryshimet klimatike dhe çështjet mjedisore do të jenë pjesë qendrore e administratës së tij.

“Jemi në krizë. Njëjtë sikurse që duhet të jemi të bashkuar për t’iu përgjigjur COVID-19, ne duhet të jemi të bashkuar për t’iu përgjigjur ndryshimit të klimës”, tha ai.

Biden pritet që të ketë një qasje ndryshe nga presidenti Donald Trump lidhur me këtë çështje. Trump e tërhoqi SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për klimën dhe po ashtu ka hequr dorë nga një sërë rregullore mjedisore.

Biden ka thënë se ai planifikon që ta kthejë SHBA-në në Marrëveshjen e Parisit.

Luftimi i ndryshimeve klimatike dhe përmirësimi i mjedisit po ashtu pritet të jenë pjesë e planit të rimëkëmbjes ekonomike të Bidenit.

Gjatë fjalimit të tij në Uillmington, Biden përsëriti premtimin e tij se ekipi i tij do të pasqyrojë diversitetin e Shteteve të Bashkuara.

“Tashmë ka më shumë njerëz me ngjyrë në kabinetin tonë sesa në çdo kabinet tjetër, po ashtu ka më shumë gra se kurrë më parë”, tha Biden.

Në mesin e të nominuarve për ekipin për mjedisin, Biden ka zgjedhur Deb Haaland nga Nju Meksiko, që pritet të udhëheqë Departamentin e Brendshëm, departament ky që është përgjegjës për menaxhimin e tokës dhe burimeve federale.

Nëse konfirmohet nga Senati, Haaland do të bëhej amerikania e parë autoktone që do të udhëhiqte Departamentin e Brendshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA