Saranda u frekuentua këtë vit nga vetëm 20% e vizitorëve që priste.
Sezoni ishte i vështirë sa i përket pritshmërive por fakti që shumë shqiptarë vijojnë ta frekuentojnë edhe në dimër qytetin dhe rrethinat po sjell një mundësi të re sipas operatorëve turistikë atje, hapësirën për turizëm gjithëvjetor.
Gjatë këtij sezoni në izolim të plotë nga toka dhe deti Saranda pati mundësinë të kryente investime të rëndësishme në infrastrukturë që në një periudhë fluksi do të kishin shqetësuar turizmin. Këtë avantazh do ta përdorë vitin e ardhshëm krahas edhe pritshmërive,në skenarin më të keq, për një rritje të numrit të vizitorëve me 20% krahasuar me 2020.
Saranda u frekuentua gjatë vitit 2019 nga rreth 900 mijë vizitorë nga më shumë se 100 vende të botës ku një peshë të rëndësishme zinin turistët rusë, çekë dhe polakë. Në 2020 priteshin trende të reja vizitorësh nga vendet nordike që do ta shtynin sezonin deri në fund të tetorit. Saranda gjithashtu kishte të prenotuara për 2020 mbi 140 prekje të portit nga anijet cruiz. Ndërkaq për shkak të situatës më pak të ngarkuar me infektime disa dhjetëra amerikanë, italianë, dhe qytetarë nga Veriu i Europës u zhvendosën për të jetuar në Sarandë gjatë 2020. Prenotimet për 2021 si për të gjithë Europën do të varen nga ecuria e situatës globale por deri tani gjasat janë për një sezon më optimist.
Top Channel