Droga që u bë oriz/ SPAK përfundon hetimet për Gentian Malindin, Altin Myslihakën dhe Adrian Begën, trafikuan 137 kg kokainë nga Ekuadori

18/12/2020 14:37

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të të pandehurve: Gentian Malindi, Altin Myslihaka dhe Adrian Bega.

Të pandehurit janë bashkëautorë në trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokaninë, të sekuestruar në 4 (katër) kontenierë, të cilët vinin nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë, duke kaluar tranzit në portin e Pireut, Greqi, ngjarje e ndodhur në muajt gusht – shtator 2019.

Gentian Malindi, është i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si krijues, organizator dhe drejtues dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Ai dyshohet si porositësi i 137 kilogramëve kokainë të kapura në portin e Durrësit një vit më parë.
Altin Myslihaka, është i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si pjesëmarrës dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Adrian Bega, është i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si pjesëmarres dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Adrian Bega, punonjës sigurie në portin e Durrësit, dhe Altin Myslihaka, peshkatar, morën pakot që prisnin brenda kontenierëve, të cilët ishin ndaluar më parë në Greqi, në kuadër të aksionit antidrogë.
Adrian Bega ka përdorur ‘badge’-in për të hyrë dhe për të dalë nga porti, ndërkohë që lëvizjet e tij dhe të bashkëpunëtorit janë regjistruar të gjitha nga kamerat.
Hetimet e këtij janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke të drejtësisë, duke organizuar edhe dorëzimin e kontrolluar të lëndës narkotike.
Ndërkohë është ndarë procedimi penal dhe vazhdon kryerja e veprimeve hetimore edhe për bashkëpunëtorë të tjerë në kryerjen e këtyre veprave penale.
Operacioni i policisw mw 27 shtator 2019.
Policia e Shqipërisë në bashkëpunim me Policinë e Greqisë dhe të koordinuar nga DEA-n në Athinë, kanë bërë të mundur goditjen e linjës së trafikimit të kokainës nga Ekuadori në Amerikën Latine në drejtim të Greqisë dhe me destinacion Shqipërinë.

137 kg kokainë janë sekuestruar, ndërsa policia ka vënë në pranga dy persona, Adrian Bega dhe Altin Myslihaka dhe në kërkim është shpallur Gentian Malindi.
“Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit”, deklaroi Ardi Veliu, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Policia Shqiptare organizoi dorëzimin e kontrolluar pas miratimit dhe lejimit nga Autoritetet Greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht 2019 dhe përfunduan sot më datë 27.09.2019.

Gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s.
Këto takime u realizuan në Tiranë dhe në Athinë për shkëmbimin e informacioneve dhe mbarëvajtjen e operacionit që do zhvillohej për goditjen e aktivitetit kriminal të personave që trafikonin lëndë narkotike të llojit kokainë nga Ekuadori në Greqi dhe më pas në Shqipëri, nëpërmjet rrugës detare.
Në realizimin e këtij operacioni, për dorëzimin e kontrolluar janë zbatuar të gjitha teknikat speciale të hetimit, të miratuara me ligjin nr. 8920., datë 11.07.2002, për Ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar ndërkombëtar dhe dy protokolleve shtesë të saj.
Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, u aplikuan me profesionalizëm dhe sukses të plotë të gjitha format dhe metodat speciale te hetimit, të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Në përfundim të këtij operacioni, në funksion të dorëzimit të kontrolluar u sekuestrua 137 kg lëndë narkotike, kokainë dhe u arrestuan shtetasit:
B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. M.
Gjatë hetimeve të deritanishme rezulton se këta shtetas ishin pritësit e kësaj lënde narkotike në Durrës.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit.
Të gjitha veprimet e kryera nga shtetasit e mësipërm ishin të mbikëqyrura nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët bënë të mundur sekuestrimin e të gjithë lëndës narkotike, arrestimin e dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, për veprat penale “Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.
Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vazhdon punën intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Gjatë zhvillimit të këtij operacioni morën pjesë Drejtoria Hetimore Qendrore, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ZQK Interpol Tirana, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë e Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës.
Finalizimi i këtij operacioni tregon edhe njëherë vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar, si dhe besimin gjithnjë në rritje të partnerëve për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit.
Ky operacion i dorëzimit të kontrolluar shënon një hap cilësor në luftën kundër Krimit të Organizuar.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar për krijimin e një ambineti sa më të sigurt dhe fton cilindo që të denoncojë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.

Trafikantwt u gjurmuan nga GPS

Trafikantët u kishin vendosur GPS të fjalës së fundit të teknologjisë pakove me kokainë të nisura nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Pakot të izoluara edhe me pjesë gome siç duket edhe në fotot e siguruara nga grupi i hetimit në Greqi, ishin ndarë në 4 kontenierë frigoriferike që transportonin banane për llogari të një kompanie që i përket një biznesmeni nga Vlora.
Pikërisht gjatë ndërhyrjes në Pire pasi kanë kërkuar edhe specialistë kundër krimit të organizuar në Shqipëri, është vendosur që udhëtimi i ngarkesave të vazhdojë dhe përveç GPS të trafikantëve janë shtuar edhe GPS nga hetuesit. Pikërisht aty në një grup të ngushtë hetuesish ku u përfshinë si hetues edhe shqiptarët, kokaina ku shkruhej lart BAR BUS pasi u peshua dhe ishte 137 kg , u zëvendësua më së shumti me oriz të presuar pasi i përafrohej formës që kishin pakot e drogës . Ndërsa 17 të tjera janë zëvendësuar me gips .
Operacioni për dorëzimin e kontrolluar u zhvendos nga porti i Pireut në portin e Durrësit menjëherë sapo katër kontenierët kanë nisur udhëtimin njëherazi me të njëjtën anije. Burime të sigurta pohojnë se nga hetimi e kqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se sapo ky automjet me targa franceze hyri port, njeriu që kalon me badge dhe hyn në terminal duke çekuar është i kërkuari Gentian Malindi i cili ka qëndruar në makinë. I dyshuari tjetër Ardian Bega , me detyrë patrulluese në kalatë rezulton të ketë shpërqëndruar rojen e sigurisë duke e qerasur me alkool. Ndërsa i treti Altin Myslyhaka ka vazhduar drejt kontenierit duke marrë edhe çantën me drogë. Deri tani ka folur 53 vjeçari Bega që pohon se sapo kanë hipur në makinën e blerë në muajin gusht nga një person në Roskovec, Malindi i ka kërkuar vartësit të tij Myslyhaka që ta prekte njërën nga pakot nëse shtypej apo jo.
Më tej i ka kërkuar ta çajë e ta shikojë dhe sapo kanë parë oriz, Malindi ka udhëruar që askush mos të flasë “na kanë vendosur çip”. Më tej ata kanë flakur pakot.
Policia nuk shpjegon as zyrtarisht dhe as jo zyrtarisht se si u zhduk nga sytë e policisë makina e trafikantëve në të cilën gjendej edhe GPS i policisë se bashku me çantën me ngarkesë.
Në vendngjarje falë GPS të tyre policët kanë gjetur orizin , dhe vetëm nga kqyrja e kamerave të sigurisë kanë identifikuar se kush ishin pritësit e njërës nga katër pakot. Tre të tjerat pasi kontenierët me banane u shkarkuan u tërhoqën nga autoritetet në vazhdimin e një operacioni antidrogë që tashmë ka shumë të dyshuar si pritës por pak prova ndaj tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA