SHBA/ Punonjësi i shëndetësise në Alaska pëson reaksion alergjik ndaj vaksines Pfizer (foto)

17/12/2020 19:36

Teksa SHBA ka nisur fushatën e vaksinimit të Covid-19 për punonjësit kyçë, si stafi mjeksor dhe sektorët e emergjencave, nga shteti i Alaskas erdhi raportimi për një rast të dytë reaksioni alergjik ndaj vaksinës së grupit Pfizer.

Një punonjës mjekësor i spitalit Bartlett Regional Hospital në Juneau, shfaqi simptomat e fryrjes së syve, marrje mendsh dhe ‘gricje të fytit’ 10 minuta pas marrjes së injeksionit, thuhej në deklaratën e spitalit.

Doktorët kishin vepruar që ai të mos pësonte shok anafilaktik duke i dhënë epinefrinë – një hormon që hap rrugët e frymëmarrjes.

Zyrtarët thanë se simptomat e tij ishin lehtësuar pas një ore, dhe punonjësi mjekësor doli nga reparti i emergjencës.

Nuk është raportuar ende nëse personi kishte precedentë të alergjive nga ushqimet apo mjekimet.

Zhvillimi vjen vetëm një ditë pasi një tjetër punonjës po në këtë spital pësoi një reaksion alergjik ndaj injeksionit të imunizimit, dhe kishte nevojë të shtrohej në spital.

Aktualisht Alaska është i vetmi shtet në SHBA që ka raportuar efekte negative në punonjësit e shëndetësisë që kanë marrë injeksionin, që prej nisjes së procedurës të hënën.

Reaksioni i parë u vërejt në një punonjëse shëndetësie femër e cila mori vaksinën të martën. Zyrtarët thanë në konferencën e shtypit se gruaja pësoi rritje të rrahjeve të zemrës, mungesë frymëmarrjeje dhe një reaksion irritimi në lëkurë, 10 minuta pas marrjes së injeksionit.

Edhe asaj iu dhanë mjekimet anti-alergjike epinefrine e Benadryl, teksa qëndron e shtruar në spital, duke marrë serum epinefrine.

Shefja e emergjencave të spitalit Dr Lindy Jones tha se reagimi i gruas ishte serioz por jo kërcënues për jetën.

Në një njoftim zyrtar për shtyp autoritetet thoin se gruaja nuk kishte precedentë të mëparshëm alergjish.

Të dy punonjësit janë shprehur se reagimet e tyre individuale nuk duhet të dekurajojnë të tjerë apo kolegët e tyre nga marrja e vaksinës.

Incidentet u raportuan në administratën shëndetësore të SHBA, dhe shefja mjekësore e Alaskës, Dr Anne Zink, tha se nuk do të ketë ndryshime në planet e administrimit të vaksinës.

“Në testimet para nisjes së fushatës ka pasur 40,000 njerëz dhe në asnjë prej tyre nuk është vërejtur një reaksion i tillë”, tha Zink.

Në spitalin Bartlett, 400 anëtarë të stafit kanë nënshkruar për marrjen e vaksinës së COVID-19.

Në 24 orët e fundit 144 dozat e para të vaksinës janë dhënë në Bartlett, teksa injeksioni i dytë fuqizues do të kryhet pas tre javësh.

Shoku anafilaktik është një reaksion i rëndë që vjen si rezultat i alergjive nga ushqimi, mjekimet apo disa materiale të caktuara, gjatë të cilit sistemi imunitar njerëzor lëshon kimikate me tepricë në trup, duke ulur presionin e gjakut, ngushtuar rrugët e frymëmarrjes.

Nëse nuk trajtohet me shpejtësi shoku anafilaktik shkakton vdekje.

Pas zhvillimeve adminsitrata mjekësore e Britanisë ka paralajmëruar që njerëzit me alergji të forta, të mos marrin vaksinën.

Ndërsa në SHBA, ku rreth 32 milionë njerëz kanë alergji nga ushqime të ndryshme, është sugjeruar që personat me alergji të imunizohen, por të monitorohen për 30 minuta pas marrjes së injeksionit.

FOTO GALERI
1/3
Nga shteti i Alaskas erdhi raportimi për një rast të dytë reaksioni alergjik ndaj vaksinës së grupit Pfizer

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA