Siç ishte njoftuar përmes rrjetet sociale protesta për vrasjen e Klodian Rashës nisi në sheshin ‘Skënderbej’ ku u grumbullua grupi i qytetarëve. Protesta nisi jo në orën 18, por një orë me vonesë.
Në fillim të grumbullimit të tyre, protestuesit kërkuan sërish drejtësi për Klodianin e gjithashtu kërkuan edhe dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithëm të Policisë së Shtetit. Pasi qëndruan disa minuta në sheshin ‘Skënderbej’ protestuesit vazhduan marshimin përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit duke u zhvendosur nga Ministria e Brendshme përballë Kryeministrisë.
Gjatë këtij marshimi nuk pati asnjë incident dhe asnjë konfrontim me forcat e policisë të cilat ishin vendosur në kordon përbri institucioneve kryesore. Nuk mungoi edhe në këtë protestë prania e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të cilat kësaj radhe nuk përdorën as gaz lotësjellës, e gjithashtu nuk hodhën as ujë përmes autobotëve.
Pasi qëndruan pak çaste para kryeministrisë protestuesit u kthyen pas dhe e mbyllën marshimin në afërsi të bashkisë. Nuk pati incidente, nuk pati konfrontim, ndërsa protesta e gjitha zgjati 1 orë e 30 minuta.
Top Channel