“Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektligjin për krijimin e regjistrit qendror të llogarive bankare që do të kontrollohen nga Administrata Tatimore. Një draft i cili synon të parandalojë pastrimin e parave dhe të lehtësojë procedurat në mbledhjen e detyrimeve tatimore.
Krahas llogarive bankare, ky regjistër elektronik i cili do të përdoret si një instrument për të zbuluar dhe hetuar veprimtaritë kriminale do të përfshijë edhe kasetat e sigurisë të mbajtura nga klientët e institucioneve financiare. Të dhënat nuk do të përmbajnë informacione mbi gjendjen e llogarive apo përmbajtjen e kasetave.
Do të jetë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ajo që do të ndërtojë regjistrin brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit me të gjitha të dhënat që do të ruhen të plota për një periudhë 10-vjeçare nga mbyllja e kasetave apo llogarive.
Drafti parashikon edhe ndëshkime me gjoba prej 1 milionë lekë për institucionet financiare që nuk dërgojnë informacionin në kohë apo deklarojnë të dhëna të rreme.
I njëjti penalitet parashikohet edhe për mosmarrjen e masave për korrigjimin e gabimeve në të dhëna apo përdorimi i paautorizuar i tyre nga ana e institucioneve financiare.
Zbatimi i këtij projektligji që pritet të miratohet së shpejti në Parlament, nuk do të shoqërohet me kosto për buxhetin e shtetit.
Top Channel