Mbrëmja e katërt e protestave/ Policia ndalon grumbullimet. Një efektiv u plagos në sy nga gurët e kapsollat

13/12/2020 01:45

Ashtu siç ishte paralajmëruar u zhvillua edhe protesta e katërt “Drejtësi për Klodianin”. Në fakt ndryshe se më parë këtë herë nuk kishte vetëm adoleshentë por edhe të rritur që në orën 18 u vendosën para kryeministrisë, institucion që rrethohej nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Forcat Shqiponja dhe Forcat e Rendit.

Nisi gjithçka paqësore me marshimin nga Kryeministria drejt Drejtorisë së Policisë. Por protesta paqësore zgjati shumë pak. Në momentin kur ata u larguan nga kryeministria nisën edhe një herë skenarët e mëparshëm.

Pasi protesta u zhvendos në rrugën ‘Myslym Shyri’ atë përsëri si më parë e morën në dorë adoleshentët të cilët me gurë në xhepa nisën të shkatërronin edhe një herë tjetër koshat e mbeturinave, tabelat e qarkullimit, semaforët.

Një orë pas fillimit të protestës ka ardhur përgjigjia e parë e policisë. Janë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që kanë hedhur gaz lotësjellës në mesin e të gjithë protestuesve. Top Channel arriti të ishte prezent në momentin që një i mitur u ndalua nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në këtë shkallë pallati në lagjen Myslym Shyri.

Pas kësaj të gjithë protestuesit u nisën të grumbulluar drejt Drejtorisë së Përgjithshme ku situata u tensionua sërish. Nga përplasja ka mbetur i dëmtuar në pjesën e syrit me kapsollë një specialist i hetimit të krimit të Komisariatit numër 1, i cili është dërguar për mjekim të menjëhershëm pranë spitalit Nënë Tereza.

Ky është efektivi i dytë i dëmtuar nga protestat e ditëve të fundit në Tiranë. Protesta e katërt në Tiranë nisi me marshim dhe përfundoi me tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve, ndërsa vijimi i saj u la i hapur në të njëjtën orë, ditën e sotme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA