Gjykata e Durrësit vendos pushimin e hetimeve në ngarkim të- ish drejtorit të kadastrës Liridon Pula dhe shefes së zyrës juridike Lusiena Kolaj, të akuzuar për shpërdorim detyre në vitin 2019.
Të ndaluar në shtator të vitit të kaluar, Lusiena Kolaj dhe Liridon Pula fituan shpejt lirinë nga gjykata e Apelit Durrës, e cila në seanca të ndryshme vendosi masën ”detyrim paraqitjeje” për ta. Madje L. Kolaj u rikthye në detyrë ndërsa hetimet vijonin për t’u pushuar ditën e sotme me kërkesë të vetë organit të akuzës durrsake.
Sot, pas më shumë se një vit hetimesh, çështja u mbyll me vendim të gjyqtarit Rexhep Bekteshi.
Në seancën e sotme, Liridon Pula dhe Lusiena Kolaj fituan kështu betejën njëvjeçare ndaj veprimeve të para hetimore që pasuan ndalimin e tyre, duke ngritur zërin se veprimet e marra nga ana e prokurorisë së Durrësit ishin arbitrare dhe të kundraligjshme. Një vit më parë për ngjarjen reagoi edhe kryeministri Rama dhe zv. kryeministri Braçe i cili ishte i pranishëm në seancën e masës së sigurimit.
Pushimi i hetimeve u bë pasi për dy zyrtarët e kadastrës nuk u faktua konsumimi i veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Lidhur me ndalimin e Liridon Pulës dhe Lysiena Kolajt, kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministri Erion Braçe patën hedhur akuza të forta ndaj prokurorit të çështjes Arjan Ndoji se vepron në shërbim të grupeve kriminale që kërkonin legalizim të objekteve në bregdet.
Top Channel