Ngacmine seksuale/ Akuzat trondisin kupolën e FBI

11/12/2020 03:03

Një ndihmës drejtor i FBI-së doli në pension pas akuzave se kishte prekur një grua në shkallët e një ndërtese kur ishte i dehur. Një tjetër zyrtar i lartë i FBI-së u largua pasi u zbulua se kishte ngacmuar seksualisht tetë punonjëse.

Edhe një agjent i rangut të lartë të FBI-së doli në pension, i akuzuar se kishte shantazhuar një punonjëse të re, me të cilën më pas kishte patur kontakte sekuale.

Një hetim i Associated Press-it ka identifikuar të paktën gjashtë pretendime për sjellje të pahijshme seksuale që përfshijnë zyrtarë të lartë të FBI-së gjatë pesë viteve të fundit. Këtu hyjnë edhe dy padi të reja të ngritura këtë javë nga gratë që thonë se ishin sulmuar seksualisht nga agjentë të rangjeve të larta.

Ndaj zyrtarëve të akuzuar të FBI-së nuk duket të jenë marrë masa disiplinore, sipas fakteve të mbledhura nga AP. Disa prej tyre u transferuan ose dolën në pension pa bujë, duke ruajtur pensionin dhe përfitimet e plota, edhe kur hetimet vërtetuan pretendimet për sjellje të pahijshme seksuale kundër tyre. Veç kësaj, zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit u jepet anonimat edhe pas përfundimit të procesit disiplinor, duke i lejuar ata të hyjnë në sektorin privat ose madje të vazhdojnë të punojnë në forcën ligjzbatuese.

Sjelljet e pahijshme seksuale që përsëriten kanë tërhequr ndërkohë vëmendjen e grupeve të Kongresit dhe organizatave për të drejtat e grave, të cilat kanë kërkuar mbrojtjen e punonjësve të FBI-së që sinjalizojnë për sjellje të tilla.

Ato kanë bërë thirrje gjithashtu për ngritjen e një entiteti të jashtëm, i cili të shqyrtojë praktikat disiplinore brenda FBI-së. Vetë FBI ka thënë se zbaton një politikë të tolerancës zero ndaj ngacmimeve seksuale dhe se akuzat kundër eprorëve kanë rezultuar me largimin e tyre nga puna ndërkohë që çështjet janë në hetim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA