Krye diplomati i Rusisë tha sot se partnerët perëndimorë të Moskës kanë zbuluar tashmë objektivat e tyre të vërtetë të politikës së jashtme, që “kanë të bëjnë me imponimin e tyre dhe jo me dhënien e asistencës reale për zgjidhjen e konflikteve”.
Sergey Lavrov në një intervistë me mediat vendase tha se Rusia prej 15 vitesh po konsiderohet si një fuqi e pavarur nga Perëndimi, prandaj përballet me opozicionin dhe rezistencën e tyre.
“Ndërgjegjësimi i Perëndimit se Rusia është tashmë një fuqi e pavarur, ka fituar një efekt të akumuluar. Rusia gjithmonë ka si prioritet interesat e saj kombëtare dhe është e gatshme t’i harmonizojë ato në mënyrë të barabartë me interesat kombëtare të vendeve të tjera, bazuar në ligjet ndërkombëtare, por nuk do të jetë kurrë nën thundrën e dikujt.”
“Kjo është gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur me politikën e jashtme të Rusisë dhe me mbulimin mediatik të marrëdhënieve mes Rusisë deh Perëndimit në 15 vitet e fundit”, tha Lavrov kur u pyet mbi ngjarjet më të rëndësishme të viteve të fundit.
Por ai shtoi se ky proces nuk ka mbaruar, pasi Moska përballet vazhdimisht me presionin e pandalur nga jashtë. “Shtetet perëndimore nuk kanë hequr dorë nga demonizimi dhe tentativat për t’i hequr Rusisë të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e saj, pasi po tentojnë skenare të ndryshme për të ndryshuar regjimin.”
“Po bëhen përpjekje për të sabotuar politikën e jashtme të Rusisë, në vendet e saj fqinje, për të parandaluar rezultate pozitive. Ne këtë e konsiderojmë si një fakt të jetës”, tha ai.
“Dëshira për të shënuar pikë propagande dominon politikën e jashtme të Perëndimit prej kohësh, duke lënë kështu pas dore esencën e problemeve që kanë nevojë për zgjidhje, në interes të popujve të rajoneve respektive”, shtoi Lavrov mes të tjerash./TASS/
Top Channel