Prototipi i një frigoriferi ultra të ftohtë dhe të transportueshëm, që mund të mbajë të ngrirë dhe të qëndrueshme për ditë të tëra vaksinën nga kompania Pfizer kundër COVID-19, është gati të përfundojë testimet në një fabrikë të teknologjisë së lartë në Itali.
Frigoriferi special pritet të ruajë në gjendje të sigurtë gjatë transportimin 180 mijë doza të vaksinës në temperaturën minus 70 gradë celsius pa përdorur energji elektrike.
Në një laborator italian pranë Avelinos, inxhinierët po ndërtojnë një frigorifer që mund të bëhet çelësi i transportimit të vaksinës kundër koronavirusit në zonat e largëta, kryesisht në vendet në zhvillim, që kanë sistem të dobët të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Frigoriferi i firmës DDesmon, është në gjendje të garantojë një temperaturë të qëndrueshme -70 gradë celsius për 40 orë resht edhe nëse është i shkëputur nga elektriciteti, thonë inxhinierët që e kanë krijuar atë.
Ciriaco De Santis është drejtor teknik në kompaninë Desmon.
“Frigoriferi mund të ruajë 180 mijë doza në temperaturën shumë të ftohtë prej -70 gradë celsius. Temperatura brenda është shumë e qëndrueshme. Deri tani kemi arritur të kemi 40 orë resht të ruajtjes së temperaturës pa energji elektrike dhe po përpiqemi që ta zgjasim atë.”
Sfida për temperatura ultra të ftohta ka marrë një përparësi kryesore për industrinë e frigoriferëve pasi kompania Pfizer njoftoi se vaksina e saj kishte kaluar me sukses të gjitha fazat e testimit, por duhej të ruhej në temperaturën minus 70 gradë celsius për të mbrojtur efikasitetin e saj.
Nëse temperatura luhatet dhe ngrihet mbi minus 70 gradë celsius, vaksinat ultra të ftohta mund të prishen dhe të mos jenë të dobishme. Kjo ndodh kryesisht me vaksinat me bazë acidin ribonukleik.
Por ka edhe vaksina të tjera që kërkojnë të ruhen në temperatura më normale, për të cilat është më i lehtë transporti.
Vaksina nga AstraZeneca mund të ruhet në temperaturar ndërmjet 2-8 gradë celsus. Kjo vaksinë po ashtu kushton më pak. Moderna ka njoftuar se vaksina e saj është qendrueshme në temperaturat mes 2-8 gradësh celsius dhe mund të ruhet në frigoriferët e zakonshëm. Nëse ruhet në temperaturën minus 20 gradë celsius, vaksina e firmës Moderna mund të mbijetojë për një periudhë gjashtë mujore.
Kompania Pfizer njoftoi se do të ofrojë dozat e saj me një transportues termik të ndërtuar posaçërisht për të ruajtur temperaturën -70 gradë celsius duke përdorur akull të thatë. Sipas kompanisë, këto kuti mund ta mbajnë vaksinën të qëndrueshme për 15 ditë, me kusht që kutia të rimbushet siç duhet me akull të thatë.
Autoritetet në Itali thonë se rreth 13% e qendrave të shpërndarjes së vaksinës nuk i kanë frigoriferët e nevojshëm dhe po punohet për furnizimin e tyre.
Afro 3 miliardë banorë, nga 7.8 miliardë që është popullsia e botës, jetojnë në zona ku frigoriferët specialë me temperatura shumë të ulta janë të pamjaftueshëm për një fushatë imunizimi për të vënën nën kontroll koronavirusin.
Sipas një studimi të kohëve të fundit, njerëzit e varfër në të gjithë botën, që janë ndër më të goditurit nga pandemia, ka të ngjarë të jenë të fundit që shërohen prej saj.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth gjysma e vaksinave në shkallë globale prishen, në disa raste për shkak të ekspozimit ndaj temperaturave të larta, ose thyerjes së shisheve gjatë transportit.
Top Channel