Domosdoshmëri e sezonit, nuk është një çantë e shndritshme e një stilisti të famshëm, por, kostume mbrojtëse mjekësore, dhe janë pikërisht këto të fundit që janë prezantuar në pasarelë nga modele të vërteta, në një sfilatë, në Kinën verilindore.
Edhe pse ekonomia e vendit u godit rëndë nga izolimet si pasojë e koronavirusit më herët këtë vit, industria është rikthyer shpejt: eksportet e produkteve mjekësore siç janë maskat, kanë arritur kulmin.
Gjatë fundjavës, prodhuesit kinezë prezantuan edhe krijimet e tyre në një panair të veshjeve mbrojtëse. Në pasarelë kanë kaluar veshje mbrojtëse më të ajruara që ndihmojnë mjekët të djersisin më pak kur i veshin. Blerësit potencialë mundën të shihnin modelet të sfilonin me veshjet që nuk ishin të kufizuara vetëm tek kostumet anti-covid, por kishte edhe veshje zjarrfikësish, elektricistësh etj.
Ngarkesat me tekstile që nisen nga kina për në vende të tjera të botës, përfshirë ato me maska mbrojtëse, janë rritur me 33 për qind në 11 muajt e parë të këtij viti, sipas shifrave zyrtare me qeveritë e huaja që vazhdojnë të marrin masa për të vendosur nën kontroll virusin. Por ekonomistët kanë tërhequr vëmendjen se blerjet e lidhura me covidin mund të mos përsëriten më tani që vaksinat duket se janë gati dhe shumë shpejt do të nisë shpërndarja.
Top Channel