Hungaria dhe Polonia kanë rënë dakord për miratimin e buxhetit

10/12/2020 09:08

Duket se është arritur një kompromis në grindjen për buxhetin shtatëvjeçar të BE-së, që pritet të miratohet në samitin e të enjtes dhe të premtes në Bruksel.

Sipas disa mediave gjermane, Gjermania, presidente e radhës së BE e arriti një kompromis në grindjen për buxhetin shtatëvjeçar të BE-së, që pritet të miratohet në samitin e të enjtes dhe të premtes në Bruksel. Mediat bëjnë të ditur se kompromisi përbëhet nga disa deklarata shtesë, në të cilat BE thekson, ndër të tjera, se respekton “identitetin kombëtar” të vendeve.

Në Poloni dhe Hungari kjo mund të interpretohet në mënyrë të tillë që BE të mos ndërhyjë në politikat e tyre ndaj refugjatëve ose ndaj familjes.

Në të njëjtën kohë, kompromisi u jep kohë Hungarisë dhe Polonisë. Ai përcakton që Komisioni i BE nuk duhet ta zbatojë mekanizmin e sundimit të ligjit, përsa kohë që një shtet është ankuar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Procedimet para GJED mund të zgjasin një deri në dy vjet. Kjo do të thotë se Kryeministri hungarez, Viktor Orban, nuk ka pse të ketë frikë se vendit të tij do t’i shkurtohen fondet e BE-së para zgjedhjeve parlamentare më 2022, përsa kohë që ka bërë një ankesë në GJED.

Varshava dhe Budapesti kishin paralajmëruar se do të vinin veto kundër miratimit të buxhetit prej 1,1 bilionë eurosh dhe fondit stimulues shoqërues prej 750 miliardë eurosh, sepse kundërshtonin që fondet të kushtëzohen me respektimin e shtetit të së drejtës dhe standardeve demokratike. Të dyja vendet janë nën hetim për shkeljen e rregullave të BE duke minuar pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shtypit./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA