Biden prezanton sekretarin e tij të mbrojtjes, afrikano-amerikanin Lloyd Austin

10/12/2020 04:58

Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se është momenti i duhur në historinë e SHBA për personin e emëruar prej tij si sekretar të mbrojtjes, gjeneralin në pension Lloyd Austin, megjithë disa shqetësime për faktin që një ish-ushtarak emërohet në një post civil.

Emërimi i gjeneralit Austin, i cili nëse konfirmohet do të ishte sekretari i parë afro-amerikan i Mbrojtjes së SHBA, kërkon që të dy dhomat e Kongresit të anashkalojnë ligjin, i cili kërkon që udhëheqësit më të lartë ushtarakë të vendit të kenë qenë jashtë forcave të armatosura për të paktën shtatë vjet para se të drejtojnë Pentagonin. Austin, 67 vjeç, doli në pension në vitin 2016. Duke njoftuar emërimin në Uilmington të shtetit Delauer, zoti Biden e quajti gjeneralin Austin “personin e duhur për këtë detyrë në momentin e duhur”.”Unë nuk do ta kërkoja këtë përjashtim nëse nuk do të besoja se atë e kërkon momenti që po kalojmë në historinë tonë dhe nëse nuk do të kisha besimin që kam tek Lloyd Austin,” tha zoti Biden.

Presidenti i zgjedhur është zotuar për një kabinet që të pasqyrojë larminë e Amerikës dhe të emëruarit e tij deri tani kanë përfshirë personalitete si Janet Yellen, e cila do të ishte e para grua në krye të Departamentit të Thesarit dhe Alejandro Mayorkas, që do të ishte emigranti i parë në krye të Departamentit të Sigurisë së vendit. Të paktën dy senatorë demokratë thonë se ata do ta kundërshtonin anashkalimin e ligjit për gjeneralin Austin. Një përrjashtim i tillë u bë për herë të fundit për sekretarin e parë të mbrojtjes të Presidentit Donald Trump, gjeneralin në pension Jim Mattis.

Kryetari demokrat i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Smith, tha se edhe pse ka shqetësime rreth përjashtimit nga ligji për gjeneralin Austin, ai nuk e refuzonte emërimin e bërë nga zoti Biden. Gjeneralit i duhet të takohet me anëtarët e komisionit “në mënyrë që ata të bëjnë pyetje për çështjen e kontrollit civil të ushtrisë dhe … të sigurohen se Gjenerali Austin është i përkushtuar ndaj këtij parimi të rëndësishëm”, tha kongresmeni Smith në një deklaratë të martën vonë.

Gjenerali ka bërë emër si një njeri mjaft privat, i cili ka shmangur vëmendjen tek vetja gjatë një karriere të shquar ushtarake prej katër dekadash, duke përfshirë postin si kreu i Komandës Qendrore të ushtrisë, e cila mbikëqyr trupat e SHBA në të gjithë Lindjen e Mesme. Zoti Biden, i cili e merr detyrën më 20 janar, do të propozojë ish-guvernatorin e shtetit Ajova, Tom Vilsack si sekretar të bujqësisë, sipas dy burimeve në dijeni të vendimit. Vilsack ka patur të njëjtin post gjatë administratës Obama.

Ai gjithashtu planifikon të emërojë afrikano-amerikanen Marcia Fudge, anëtare e Kongresit nga shteti Ohajo si sekretaren e tij të strehimit dhe zhvillimit urban, sipas njoftimeve të mediave./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA