Një gjyshe në Britaninë e Madhe u bë personi i parë në botë që mori vaksinën e Pfizer/Biontech, në kuadër të programit masiv të vaksinimit të nisur në vend. Margaret Keenan, që mbush 91 vjeç javën e ardhshme, tha se ajo ishte dhurata më e mirë e ditëlindjes, që ka marrë ndonjëherë. Ajo e mori injeksionin e vaksinës në orën 6.31 minuta, të parën nga 800 mijë dozat që do të injektohen në javët në vijim.
‘Këshilla ime për të gjithë është që të bëjnë vaksinën. Nëse e bëj unë në moshën 90 vjec, atëherë duhet ta bëni edhe ju. Ndihem jashtëzakonisht e privilegjuar të jem personi i parë i vaksinuar kundër Covid-19’- tha Keenan.
Ajo u pasua nga një tjetër i moshuar, i quajtur Uilliam Shakespeare, që ashtu si edhe shkrimtari i famshëm është nga Warwickshire. 4 milionë doza të tjera pritet të mbërrijnë në vend deri në fund të muajit. Qendrat në Britaninë e Madhe do të vaksinojnë personat mbi 80 vjeç dhe pjesëtarët e shërbimit kombëtar të shëndetësisë dhe personelin e shtëpive të kujdesit. Sekretari i shëndetësisë, Matt Hancock, e quajti të martën ditën e fitores. “Kjo e sotmja shënon fillimin e kundërsulmit tonë ndaj armikut të përbashkët, koronavirusit”, tha ai. Në anën tjetër, kryeministri Boris Johnson, në një vizitë në një spital në Londër, tha se vaksinimi ishte në të mirë të të gjithëve.
‘Çfarëdo që të ndodhë, nga 1 janari, gjërat do të jenë ndryshe dhe njerëzit duhet të përgatiten për atë ndryshim’- tha Johnson.
Gjatë të martës, pacientë dhe punonjës të sektorit të shëndetësisë në rreth 50 spitale në Britaninë e Madhe, kanë marrë vaksinën. Britania e Madhe, bëhet kështu vendi i parë në botë që nis përdorimin e vaksinës së Pfizer, pasi rregullatorët e miratuan javën e shkuar. Rregullatorët amerikanë konfirmuan ndërkohë se vaksina është 95 për qind efikase, duke hapur rrugën që ajo të miratohet për përdorim emergjent së shpejti.
Top Channel