9 efektivë të plagosur/ Reagon Policia e Shtetit: Mos ushtroni dhunë ndaj policëve, do përballeni me pasoja ligjore

09/12/2020 20:51

“Tubimi i nisur pasditen e sotme para godinës së Ministrisë së Brendshme u përshkallëzua në veprime të dhunshme, duke thyer xhamat e Ministrisë së Brendshme dhe duke plagosur disa punonjës policie që ishin në shërbim, në ruajtje të institucionit”, shkruhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Deklarata vazhdon:

Më pas, turma u drejtua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u përqendruar përpara Kryeministrisë. Ekstremistë të dhunshëm kanë hedhur sende të forta, gurë, pllaka, kapsolla e sende të tjera, duke plagosur 9 punonjës policie dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin Skënderbej. Si pasojë e plagëve të marra, 3 punonjës policie janë në gjendje më të rëndë në spital, pasi kanë dëmtime serioze në kokë dhe në trup, të shkaktuara nga sulmi me sende të forta nga protestuesit, ndërsa 6 punonjës policie janë në gjendje më të stabilizuar. Edhe disa mjete policore u dëmtuan me sende të forta”.

Vrasja e të riut Klodian Rasha solli një reagim të gjerë qytetar, në kryeqytet dhe jo vetëm. Ndërkohë nga ana tjetër, Policia e Shtetit apelon për të gjithë protestuesit që të mos ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve, pasi cilido do të përballet me pasojat ligjore.

“Policia e Shtetit bëri të gjitha përpjekjet për menaxhimin me shumë përmbajtje të dhunës së papritur dhe të padrejtë ndaj punonjësve të saj dhe ndaj institucioneve. Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve, të cilët kanë bërë thirrje sot në rrjetet sociale për t’u grumbulluar në protestë, të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar thirrjet për dhunë, pasi dhuna do të përballet me përgjigjen ligjore të Policisë së Shtetit. Episodi i papranueshëm i vrasjes së një qytetari nga një punonjes policie, i cili po hetohet në gjendje arresti, nuk mund të përdoret si pretekst për të ushtruar dhunë të verbër, për të plagosur rëndë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruar pronën publike dhe private”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA