Një armë automatike e kontrolluar nga një satelit, me inteligjencë artificiale, është përdorur për të vrarë shkencëtarin kryesor bërthamor të Iranit, sipas komandantit të rojave revolucionare.
Mohsen Fakhrizadeh u qëllua për vdekje në në makinën e tij jashtë Teheranit, më 27 nëntor. Komandanti i rojave revolucionare të Iranit, Ali Fadavi, tha për mediat vendase se arma, e montuar në një kamioncinë, ka mundur të qëllojë shkencëtarin pa goditur bashkëshorten e tij që ndodhej në krah.
Pretendimi nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Irani ka fajësuar Izraelin dhe një grup opozitar në azil për sulmin. Izraeli vetë as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar përgjegjësinë. Autoritetet iraniane kanë lëshuar dëshmi konfliktuale për mënyrën se si shkencëtari u vra ndërsa ai udhëtonte me makinë përmes qytetit Absard.
Ditën e sulmit, ministria e mbrojtjes tha se kishte patur shkëmbim zjarri mes rojave të tij dhe disa personave të armatosur. Më pas u tha se tre deri në katër individë që dyshohen si terroristë ishin vrarë. Edhe një kamionçinë Nissan u raportua se kishte shpërthyer në vendngjarje.
Ndërsa në fjalimin në funeralin e Fakhrisadeh, shefi i këshillit suprem të sigurisë kombëtare të Iranit tha se ishte një sulm i telekomanduar me metoda speciale dhe pajisje elektronike, por nuk dha detaje të tjera.
Top Channel