Uashingtoni vë sanksione ndaj Kinës, miraton shitjen e armëve për Tajvanin

08/12/2020 05:25

Administrata e Presidentit Trump miratoi të hënën një shitje të madhe armësh për Tajvanin ndërsa vuri sanksione ndaj zyrtarëve kinezë lidhur me shtypjen e lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong. Këto lëvizje me siguri që do të sjellin kundërshtime nga Kina, e cila e konsideron Tajvanin si një provincë renegate ndërsa ka hedhur poshtë masat e saj për Hong Kongun si ndërhyrje në punët e brendshme.

Departamenti i Shtetit tha se kishte miratuar shitjen e pajisjeve të avancuara të komunikimit për Tajvanin, që kapin shumën 280 milionë dollarë. Më herët, diplomacia amerikane tha se u kishte vënë sanksione 14 pjesëtarëve të komitetit të përhershëm të parlamentit kinez, ndërsa Departamenti i Shtetit shton masat ndëshkuese kundër Kinës në fund të mandatit të kësaj administrate. Përmes një deklerate, Departamenti i Shtetit tha se kishte miratuar shitjen e pajisjeve të komunikimit për të “ndihmuar në përmirësimin e sigurisë së atij vendi dhe për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit politik, balancës ushtarake, përparimit ekonomik në rajon dhe për të kontribuar për qëllimin e palës blerëse për të modernizuar aftësitë e saj të komunikimit ushtarak në mbështetje të misionit të tyre dhe nevojave operacionale”.

Shitja e armëve Tajvanit është e fundit në një seri hapash të ndërmarra nga administrata e Presidentit Trump për të rritur aftësitë mbrojtëse të atij vendi gjatë muajve të fundit. Po ashtu të hënën, departamentet e Shtetit dhe Thesarit thanë se po veprojnë kundër 14 anëtarëve të një komisioni të përhershëm për të ngrirë zotërimet që mund të kenë nën juridiksionin amerikan dhe për të ndaluar hyrjen e tyre dhe të familjeve të tyre në Shtetet e Bashkuara.

Një javë më parë, administrata amerikane kufizoi edhe më tej dhënien e vizave për zyrtarë të Partisë Komuniste të Kinës si pjesë e fushatës, në kuadër të së cilës Kina është ndërshkuar për veprimet e saj në provincën perëndimore Xinjiang, Tibet, Tajvan dhe Detin e Kinës së Jugut. “Sulmi i pamëshirshëm i Pekinit kundër proceseve demokratike të Hong Kongut ka spastruar Këshillin Legjislativ atje, duke e bërë atë një trup që nuk merr parasysh kundërshtimet e përligjshme,” tha përmes një deklarate Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, ku përsëriteshin dënimet ndaj Kinës për shkeljen e marrëveshjes me Britaninë që e ktheu Hong Kongun nën sundimin kinez në vitin 1997.

“Këto veprime demonstrojnë edhe një herë shpërfilljen e plotë të Pekinit për angazhimet e tij ndërkombëtare nën Dekleratën Kinezo-Britanike, një traktat i regjistruar në Kombet e bashkuara,” tha zoti Pompeo. Të 14 zyrtarët janë Wang Chen, Cao Jianming, Zhang Chunxian, Shen Yueyue, Ji Bingxuan, Arken Imirbaki, Wan Exiang, Chen Du, Wang Dongming, Padma Choling, Ding Zhongli, Hao Mingjin, Cai Dafeng, dhe Wu Weihua.

“Veprimet tona sot theksojnë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët tanë për ta mbajtur Pekinin përgjegjës për minimin e autonomisë së premtuar të Hong Kongut. Shtetet e Bashkuara përsëri i bëjnë thirrje Pekinit që t’u përmbahet angazhimeve të tij ndërkombëtare dhe të dëgjojë zërat e shumë vendeve, që i kanë dënuar veprimet e tij,” tha zoti Pompeo./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA