Rudy Giuliani, avokati personal i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se “ndihet shume mirë” pas diagnostikimit me koronavirus dhe falënderoi miqtë për “lutjet dhe urimet e tyre”.
Në postimin e tij në Twitter, Giuliani nuk i konfirmoi raportet e mediave amerikane se është shtruar në spital, por tha se “po merr kujdes të mirë”. 76-vjeçari ka drejtuar sfidat ligjore të presidentit Trump, kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, që nxori fitues demokratin Joe Biden. Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut ka udhëtuar në shtetet kyçe, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në gjithë SHBA-në.
Në disa raste madje ai është shfaqur edhe pa maskë në fytyrë. Ekipi ligjor i Trumpit tha përmes një deklarate se Giuliani kishte dalë negativ në testin e koronavirusit dy herë para udhëtimeve të tij në Arizona, Miçigan dhe Xhorxhia. Në deklaratë po ashtu thuhet se anëtarët e tjerë të ekipit ligjor, që kanë pasur kontakte të afërta me Giulianin, do t’i ndjekin urdhrat e mjekëve të tyre dhe udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për vetizolim dhe testim.
Vetë presidenti Trump kaloi tre netë në spital, në muajin tetor, pasi u prek nga COVID-19. Sipas shifrave të fundit nga Universiteti Johns Hopkins, mbi 281,000 amerikanë kanë vdekur për shkak të COVID-19, më shumë se në çdo vend tjetër, ndërsa 14.6 milionë të tjerë janë të infektuar.
Pavarësisht kësaj, në një sondazh te fundit kombëtar, rreth katër në 10 amerikanë thane se do të refuzonin ta merrnin vaksinën.
Top Channel