Muaji i kaluar ka qenë nëntori më i nxehtë, i regjistruar ndonjëherë në planetin Tokë, dhe Evropa është përballur me temperatura rekorde në këtë periudhë.
Shërbimi i Ndryshimit të Klimës Copernicus (C3S) ka analizuar temperaturën e sipërfaqes dhe të ajrit dhe ka gjetur se nëntori i vitit 2020 ka qenë për 0.77 gradë Celsius më i nxehtë se mesatarja 30-vjeçare, nga viti 1981 deri më 2010.
Temperatura mesatare shtator-nëntor për Evropën, ka qenë më e larta në histori dhe 1.9 gradë Celsius mbi periudhën e referimit.
Shërbimi i Ndryshimit të Klimës Copernicus, që është pjesë e shërbimit satelitor të Bashkimit Evropian, ka thënë se 2020 ka qenë në linjë me vitin 2016, që është viti më i nxehtë në histori.
Javën e kaluar, Organizata Botërore për Meteorologji, ka thënë se pret që viti 2020 të jetë një nga tre më të nxehtit – mbrapa viteve 2016 dhe 2019.
Drejtori i Shërbimit të Ndryshimit të Klimës Copernicus, Carlo Buontempo, ka thënë se incizimet “janë në përputhje me trendet afatgjata të ngrohjes globale” andaj u ka bërë thirrje ligjvënësve që të “shqyrtojnë më seriozisht se kurrë qasjen ndaj përkushtimeve ndërkombëtare”, të përcaktuara në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, të nënshkruar më 2015.
Sipas kësaj marrëveshjeje, shtetet nënshkruese janë përkushtuar për qëllim afatgjatë të kufizimit të temperaturës mesatare në 1.5 gradë Celsius.
Top Channel