Partia e presidentit Nicolas Maduro dhe aleatët e tij i fituan zgjedhjet parlamentare në Venezuelë, tregojnë rezultatet e pjesshme.
Zgjedhjet, që u mbajtën të dielën, u bojkotuan nga partitë kryesore opozitare.
Me mbi 80 për qind të votave të numëruara, Këshilli Kombëtar Zgjedhor tha se koalicioni i Maduros ka fituar 67.6 për qind të tyre.
Bojkotimi i zgjedhjeve është udhëhequr nga lideri i opozitës, Juan Guaido, i cili, tash e dy vjet, është në luftë për pushtet me Maduron.
Shtetet e Bashkuara dhe mbi 50 vende të tjera e njohin Guaidon si udhëheqës legjitim të Venezuelës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cilësoi zgjedhjet e së dielës si “mashtrim”.
“Rezultatet e shpallura nga regjimi i paligjshëm i Maduros nuk do të pasqyrojnë vullnetin e popullit të Venezuelës”, shkroi Pompeo në Twitter.
Pasi votoi të dielën, Maduro tha se zgjedhjet do të shënojnë fillimin e një epoke të rimëkëmbjes për Venezuelën.
Nën qeverisjen e Maduros, ekonomia është dobësuar dhe mungesat e ushqimeve dhe ilaçeve janë rritur.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), aktualisht janë rreth 4.5 milionë refugjatë dhe migrantë nga Venezuela në të gjithë botën.
Top Channel