Në fundin e tetorit, stafi në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Vermontit vuri re se sistemi telefonik i spitalit nuk po funksiononte.
Pastaj ra internet e së bashku me të, edhe infrastruktura teknike e qendrës me seli në Burlington. Punonjësit humbën qasjen në bazat e të dhënave, në të dhënat dixhitale të shëndetit, sistemet e caktimit të vizitave dhe mjetet e tjera në internet, tek të cilat mbështeten për t’u ofruar pacientëve kujdesin shëndetësor, thotë Zëri i Amerikës. Administratorët u përpoqën ta mbanin spitalin në funksion – duke anuluar vizitat jo urgjente, duke iu kthyer shënimeve me letër dhe duke riorientuar disa pacientë në nevojë për trajtim të menjëhershëm tek spitalet aty pranë.
Në laboratorin kryesor, i cili zhvillon rreth 8’000 teste në ditë, punonjësit shtypën ose i shkruajtën me dorë rezultatet dhe i bartën ato nëpër institucione tek specialistët. Teknologjitë e vjetëruara, pa internet, përjetuan një ringjallje.
“Kërkuam përreth dhe morëm çdo makineri faksi që mundëm”, tha drejtuesi i operacioneve të Qendrës Mjekësore UVM, Al Gobeille.
Spitali i Vermontit kishte rënë pre e një sulmi kibernetik, duke u bërë një nga shembujt më të fundit dhe të dukshëm të një vale sulmesh dixhitale ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor amerikan, ndërsa rastet e COVID-19 rriten në të gjithë vendin. Në të njëjtën ditë me sulmin e UVM-së, FBI-ja dhe dy agjensi federale paralajmëruan se kriminelët kibernetikë po shtonin përpjekjet për të hedhur të dhëna dhe për të ndërprerë shërbimet në të gjithë sektorin e kujdesit shëndetësor.
Top Channel