Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo thotë se dhuna në Afganistan është në nivel të lartë dhe të “papranueshëm”, teksa bisedimet e paqes ndërmjet Qeverisë afgane dhe talibanëve po vazhdojnë.
Pompeo tha se Uashingtoni ka kërkuar nga palët që të “zmbrapsen” nga dhuna, duke shtuar se shpreson që të dyja palët do të nisin të adresojnë disa prej çështjeve kryesore, përfshirë edhe për një armëpushim mbarëkombëtarë.
Pompeo i bëri këto komente gjatë një konference virtuale më 4 dhjetor, që vjen dy ditë pasi Qeveria afgane dhe negociatorët talibanë, arritën një marrëveshje në Doha të Katarit që të vazhdojnë bisedimet që kanë për qëllim dhënien fund të luftës 19-vjeçare.
Kjo marrëveshje u pa si kruciale pasi i avancon bisedimet përtej pyetjeve procedurale drejt çështjeve më substanciale, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi.
Pompeo tha se është takuar me ekipet negociatore gjatë vizitës së tij në Doha më 21 nëntor.
“Ua kam bërë të qartë se nivelet e tilla të dhunës nuk mund të vazhdojnë derisa këto bisedime vazhdojnë, sepse nuk do të funksionojë”, tha ai.
Qeveria në Afganistan, që mbështetet nga SHBA-ja, është në pushtet që nga viti 2001 edhe pse talibanët kontrollojnë pjesë të mëdha të territorit të vendit.
Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet SHBA-së dhe talibanëve në shkurt, të gjitha forcat e huaja pritet të largohen nga Afganistani deri në maj të vitit 2021, në këmbim të garancave për siguri nga grupi militant. NATO ka rreth 11 mijë trupa në Afganistan, që vijnë nga disa shtete.
Në nëntor, administrata e Donald Trumpit, njoftoi se 2 mijë trupa amerikane do të largohen nga Afganistani deri në mesin e muajit janar, duke lënë në këtë shtet vetëm 2 mijë e 500 trupa.
Top Channel