Departamenti amerikan i Shtetit ka ndërprerë pesë programe të shkëmbimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, duke thënë se ato funksiononin si mjete të propagandës për Pekinin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u shpreh përmes një deklarate se programet ishin fshehur si “shkëmbime kulturore” nëpërmjet Aktit për Shkëmbime të Arsimit dhe Kulturës (MECEA).
“Teksa programet e tjera janë krijuar nën MECEA dhe kanë përfitime të dyanshme, pesë programet në fjalë financohen plotësisht dhe operohen nga Qeveria e Kinës si mjete te lehta të propagandës”, tha Pompeo.
MECEA lejon punonjësit e Qeverisë amerikane që të udhëtojnë duke përdorur fondet e qeverisë së huaj. Pompo sqaroi se pesë programet që janë ndërprerë “u ofronin qasje zyrtarëve të Partisë Komuniste kineze dhe jo popullit kinez, i cili nuk gëzon lirinë e fjalës dhe tubimit”.
Vendimi për ndërprerjen e tyre është shembulli i fundit i marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet SHBA-së dhe Kinës. Dy shtetet janë përfshirë në një luftë tregtare të nisur nga presidenti Donald Trump dhe kritikat që Uashingtoni i bën Pekinit lidhur me liritë në Hong Kong. Po ashtu, SHBA-ja e ka fshikulluar keq Kinën lidhur me menaxhimin e pandemisë si dhe për trajtimin që iu bën ujgurëve e grupeve të tjera të pakicave myslimane.
Top Channel