Ministria e Shëndetësisë njoftoi se të shtunën në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 24 viktima dhe 984 të infektuar me koronavirusin e ri, ndërsa numri i të shëruarve është 631 persona.
Të dhënat e publikuara bazohen në testimin e 2.995 mostrave.
Numri më i madh i viktimave është regjistruar në Shkup, gjithsej 12; në Manastir 3, në Kumanovë 2 ndërsa nga 1 janë regjistruar në 7 qytete tjera.
Sipas raportit të Ministrisë të Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, ka arritur në 67.311 persona, prej tyre 1.901 kanë humbur betejën me COVID-19, 42.872 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 22.538 persona.
Ministi i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë protokollet e trajtimit të sëmundjes COVID-19 dhe të mos marrin ilaçe pa lejen e mjekëve.
Reagimi i tij vjen pas njoftimeve se qytetarët e infektuar me koronavirus janë duke u furnizuar me medikante mjekësore pa lejen e mjekëve.
“Anjë prej ilaçeve nuk janë dëshmuar se ndihmojnë në mënyrë specifike këtë sëmundje. Te pacientët ka forma të ndryshme klinike dhe secila prej tyre kërkon qasje të ndryshme, prandaj asnjë ilaç nuk duhet të merret pa udhëzimin e mjekëve”, ka deklaruar Filipçe.
Ai tha se shpreson se beteja kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, do të arrihet vetëm përmes vaksinimit të popullatës.
“Me procesin e vaskinimit praktikisht do të fillojë faza e fundit e kësaj pandemie. Besoj se jemi nga fundi i një periudhe shumë të vështirë në historinë botërore”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai të premten ka bërë të ditur se vaksinat e para kundër koronavirusit do të arrijnë në Maqedoninë e Veriut më së voni në muajin shkurt ose mars. Bëhet fjalë për 833 mijë vaksina të Oksford-it që do të përfshijnë 400 mijë qytetarë.
Vaksinat do të jepen falas ndërsa prioritet do të kenë punonjësit shëndetësorë, të sëmurët kronikë si dhe të moshuarit./REL/
Top Channel