Erdogan: Rezoluta franceze është një “katastrofë”

05/12/2020 20:32
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan

“Shpresojmë që opinioni ndërkombëtar të reagojë ndaj kësaj qasjeje, e cila është e rrezikshme dhe do të kërcënojë të gjitha shtetet, e iniciuar nga Franca”, tha Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e quajti “katastrofë të plotë” rezolutën e parlamentit francez mbi Malësinë e Karabakut, raporton Anadolu Agency (AA).

“Vendimi i marrë një ditë më parë në parlamentin e Francës, bashkëkryesuesi i Grupit të Minskut, është një katastrofë e plotë përtej skandalit”, tha presidenti Erdoğan në ceremoninë e hapjes së një autostrade të sapo ndërtuar në Turqinë lindore përmes video-lidhjes.

Dje Franca miratoi një rezolutë të ashtuquajtur për të njohur Malësinë e Karabakut si një shtet të pavarur.

Erdoğan theksoi se Azerbajxhani nuk sulmoi askënd apo tokat e askujt, vetëm se çliroi tokat e veta që ishin pushtuar nga Armenia për gati 30 vjet, pavarësisht rezolutave të OKB-së dhe OSBE-së.

“Azerbajxhani e bëri këtë duke qëndruar brenda kornizës së legjitimitetit, jo duke shënjestruar civilë dhe vendbanime civile si armenët”, theksoi presidenti turk.

Duke iu referuar rezolutës franceze, ai tha se një sulm i tillë ndaj të drejtave të sovranitetit të një shteti është “i papranueshëm”.

“Shpresojmë që opinioni ndërkombëtar të reagojë ndaj kësaj qasjeje, e cila është e rrezikshme dhe do të kërcënojë të gjitha shtetet, e iniciuar nga Franca”, tha Erdoğan.

Presidenti turk paralajmëroi gjithashtu se Evropa do të pësonte dëmin më të madh nga ky veprim, pasi uniteti i saj aktual politik i detyrohet “një periudhe luftimi shumë të përgjakshme dhe të errët”.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone fqinje.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe rreth 300 vendbanime dhe fshatra nga pushtimi armen.

Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një rezolute gjithëpërfshirëse.

Armëpushimi shihet si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA