Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti padi ndaj rrjetit social, Facebook me pretendimin se preferon punonjësit e huaj me vizë të përkohshme në vend të punonjësve amerikanë.
Në një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë theksohet se kompania “Facebook” ka shkelur ligjet përkatëse duke diskriminuar shtetasit amerikanë.
Departamenti ka mbrojtur idenë e tij se Facebook në vend të punësimit të amerikanëve të kualifikuar, ka preferuar për 2.600 pozicione të punësojë të huajt që kanë viza të ndryshme të punës përfshirë edhe H1-B dhe se kjo në praktikë është “diskriminim ndaj shtetasve amerikanë”.
Zëdhënësi i Facebook, Daniel Roberts, njoftoi se kompania për këtë çështje ka bërë bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Drejtësisë.
Dihet që veçanërisht kompanitë e teknologjisë dhe informacionit në SHBA përdorin vizat H1-B për të punësuar persona të huaj të kualifikuar nga e gjithë bota. Në mediat amerikane padia është komentuar si “frikësim” i administratës Trump ndaj kompanive të tjera që punësojnë punonjës të huaj me vizat H1-B dhe është vlerësuar që kjo çështje do të zgjidhet pas fillimit të detyrës së ekipit të Joe Biden, i cili ka fituar zgjedhjet presidenciale.
Top Channel