Në mesin e rritjes së rasteve me COVID-19, Italia shtrëngon masat për festat e fundvitit

04/12/2020 09:30

Italia ka konfirmuar kufizime të reja për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) gjatë sezonit të festave, duke ndaluar grumbullimin e mesnatës dhe lëvizjen e qytetarëve, pasi numri i të vdekurve nga virusi regjistroi një kulm të ri.

Kryeministri Giuseppe Conte tha se nga 21 dhjetori deri më 6 janar lëvizja e qytetarëve midis 20 rajoneve të Italisë do të lejohet vetëm për punë, arsye mjekësore ose emergjente.

Conte shtoi se udhëtimi ndër-qytetor është ndaluar nga Dita e Krishtlindjeve deri në ditën e Vitit të Ri, respektivisht nga 25 dhjetori deri më 1 janar, ndërsa kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22 deri në orën 05 do të vazhdojë të zbatohet deri më 6 janar, përfshirë nga ora 22 deri në orën 07 në ditën e Vitit të Ri. Hotelet po ashtu do të ndalohet të organizojnë programe speciale argëtuese të Vitit të Ri.

Duke theksuar se ata nuk duan të kufizojnë blerjet, Conte tha se nga 4 dhjetori deri më 6 janar dyqanet mund të qëndrojnë të hapura çdo ditë deri në orën 21. Italia së fundmi shënoi një rekord të vdekjeve ditore nga koronavirusi që nga shpërthimi i pandemisë, respektivisht 993 vdekje, pavarësisht ngadalësimit të kurbës së infeksionit.

Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, viktimat e reja e çuan numrin e të vdekurve në 58.038, duke u renditur vendi i dytë në Evropë pas Mbretërisë së Bashkuar.

Vendi po ashtu regjistroi 23.225 raste ditore, një rritje prej 12 për qind krahasuar me një ditë më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA