Skandali seksual i bashkëthemeluesit të Fidesz-it, József Szájer, nxjerr në pah hipokrizinë dhe moralin e dyfishtë të një shteti, kryeministri i të cilit shet moral me homofobi.
Jeta seksuale e politikanëve është përgjithësisht një çështje private. Por jo, kur këta tjetër bëjnë, e tjetër flasin. Dhe jo kur bëhet fjala për një anëtar themelues të partisë nacionaliste hungareze, Fidesz, dhe për një aleat të ngushtë të Kryeministrit, Viktor Orban, qeveria e të cilit njihet për qëndrimin e hapur kundër komunitetit LGBTQ +, tani është përfshirë në një skandal seksual.
Orgji dhe drogë
József Szájer dha dorëheqjen të dielën si deputet i Parlamentit Evropian, pasi pranoi se kishte thyer rregullat e pandemisë për të marrë pjesë në një orgji të paligjshme në Bruksel, ku shumica e pjesëmarrësve ishin burra. Media belge e quajti si një lloj „gang bang” festën, e cila u zhvillua në një apartament mbi një bar homoseksualësh dhe shkelte rregullat e vëna për të parandaluar koronavirusin. Policia hyri në banesë pasi fqinjët u ankuan për zhurmë dhe thuhet, se gjetën më shumë se 20 njerëz në gjendje të zhveshur, shumë syresh diplomatë.
József Szájer, gjysmë i zhveshur, ishte përpjekur të dilte nga dritarja, dhe me vete kishte drogë, por jo kartën e identitetit. Prandaj edhe autoritetet e shoqëruan në banesën e tij, ku u tregoi pasaportën diplomatike. Ai dha të dielën dorëheqjen duke me argumentin se jeta politike ishte bërë për të “një ngarkesë mendore gjithnjë e më e madhe”. Por të martën, publiku mësoi arsyen e vërtetë të dorëheqjes, kur doli me një deklaratë për mediat hungareze duke pranuar se kishte marrë pjesë në festën e Brukselit.
Afera hedh një dritë të re mbi regjimin e Orbanit. Në vitin 1988, József Szájer ishte një nga 37 bashkëthemeluesit e Fidesz-it dhe ai është një nga të paktët që ende është aktiv në politikë, së bashku me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Laszlo Köver, dhe gazetarin, Zsolt Bayer, i cili ka shkruar një mori artikujsh racistë.
József Szájer, i cili në Bruksel funksiononte si një fijelidhës i profilit të lartë dhe kishte luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave të Orbanit ndaj Bashkimit Evropian, është i martuar me Tunde Hando, një avokate dhe gjykatëse e shquar, që drejtonte Zyrën Kombëtare të Gjyqësorit të Hungarisë deri në vitin 2019 dhe ishte e dobishme në minimin e ndarjes së pushteteve, çka bëri që gjyqtarët të viheshin nën ndikimin qeveritar. Megjithëse vetë Szájer nuk shihet si një teoricien konspiracioni, kurrë nuk kishte asnjë dyshim në lidhje me pikëpamjet e tij. Në Bruksel, ai shpesh mbronte me forcë ideologjinë nacionaliste, etnike dhe kristiane fundamentaliste të Orbanit.
Në korridoret e BE-së flitet se József Szájer madje kishte hartuar edhe tekstin për kushtetutën e parë të Hungarisë pas Luftës së Ftohtë, e cila hyri në fuqi në vitin 2012. “Hungaria do të mbrojë institucionin e martesës si bashkimin e një burri dhe një gruaje të krijuar me vendim vullnetar, dhe familja si baza e mbijetesës së kombit “, thuhet aty.
Homofobia në rritje
Homofobia ka qenë një pjesë e përhershme e politikës së qeverisë hungareze që kur Orbani mori pushtetin në vitin 2010. Gjatë viteve, kryeministri ka bërë komente homofobe të papërpunuara dhe nënçmuese.
Muajt e fundit, megjithatë, Orbani here pas here bënte deklarata primitive ndaj homoseksualëve. Në tetor, Orbani do t’i krahasonte ata për here të pare me pedofilët. Ai tha se Hungaria ka “një qasje jashtëzakonisht tolerante dhe të duruar” ndaj homoseksualëve, por deri në një vijë të kuqe: “Mos të na prekin fëmijët “, tha ai. Në nëntor, qeveria shtoi një ndryshim në nenin e familjes: Nëna është një grua, babai është burrë. Ndërsa në maj, parlamenti miratoi një ligj që ndalonte ndryshimin e gjinisë në dokumentet e identitetit.
Në kritikën e tij ndaj BE-së, Orban, i cili ndër të tjera, së bashku me Poloninë bllokon miratimin e planit buxhetor, e akuzon BE-në se kjo po krijon një diktaturë të korrektesës politike, ku vlerat kristiane, tradicionale dhe familjare nuk vlejnë më dhe se establishmenti i së majtës liberale synon t’i bëjë njerëzit pazot dhe pa identitet.
Se çfarë pasojash mund të sjellë kjo aferë për Orbanin, kjo mbetet të shihet. Një aferë e mëparshme e ngjashme seksuale të një politikani të tij, që shfrytëzonte prostituta, i kushtoi gjatë zgjedhjeve lokale një humbje të madhe votash në veriperëndim të Hungarisë.
Top Channel