Një shkencëtare dhe shpikëse adoleshente është zgjedhur nga revista Time si fëmija i parë i vitit dhe vetë ajo thotë se shpreson se do të mund të frymëzojë të tjerët të dalin me ide për të zgjidhur problemet e botës.
Gitanjali Rao, 15 vjeç, ka shpikur teknologji, përfshirë një mjet që mund të identifikoj plumbin në ujin e pijshëm dhe një aplikacion që pikas bullizmin online.
Ajo u zgjodh mes më shumë se 5 mijë fëmijëve amerikanë të nominuar për titullin historik. “Nëse unë mund ta bëjë këtë, edhe ti mundesh, të gjithë munden”, tha ajo. Në një intervistë për revistën Time, me aktoren dhe humanisten Angelina Jolie, Rao tha se ajo nuk duket si shkencëtare tipike.
Rao, nga shteti amerikan i Kolorados, tha se kishte shumë probleme që duheshin zgjidhur. “Gjenerata jonë po përballet me aq shumë probleme sa asnjëherë më parë. Por në të njëjtën kohë ne përballemi edhe me problemet e vjetra”, tha ajo.
Vlerësimi nga revista time është në fakt vetëm arritja më e fundit për 15 vjeçaren. Ajo më herët ishte zgjedhur shkencëtarja kryesore e re e Amerikës pasi kishte shpikur një test të shpejtë dhe jo të kushtueshëm për të pikasur ujin e kontaminuar me plumb.
Revista Time, nisi përzgjedhjen e burrit të saj të vitit në 1927 dhe më pas e ndryshoi titullin në Personi i vitit. Time thotë se titulli i ri, fëmija i vitit, është një barometër për liderët në rritje të gjeneratës së re të Amerikës. Revista do të shpallë personin e vitit për 2020, javën e ardhshme.
Top Channel