Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i tij përveç me Rusinë është në kontakt edhe Kinën për vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), duke shtuar se ai mund të vaksinohet për të dhënë shembull për kombin, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne kemi bisedime me Rusinë, si dhe Kinën. Për këtë çështje, unë personalisht nuk kam asnjë problem për vaksinimin”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve pas namazit të xhumasë në Stamboll.
Erdoğan tha se është një hap i cili duhet të merret për të dhënë shembull për kombin dhe theksoi se kur bëhet fjalë për shëndetin, duhet të bëhet çfarëdo që është e nevojshme.
Duke folur për rezolutën e ashtuquajtur franceze, që njeh Malësinë e Karabakut si shtet të pavarur, presidenti turk tha se Franca ka humbur rolin e saj ndërmjetësues brenda grupit të Minskut të OSBE-së.
“Macron është një telash për Francën. Me Macron-in, Franca po kalon një kohë shumë të rrezikshme. Shpresoj që Franca të heqë qafe ‘problemin Macron’ sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha Erdoğan.
Ai po ashtu kujtoi komentet e 1 dhjetorit të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Alyev, kundër rezolutës franceze, i cili tha se “nëse Franca e dëshiron kaq shumë këtë, ajo mund t’u japë armenëve (rajonin jugor francez) Marseille-n”.
“Unë i japë të njëjtën këshillë (Francës)”, u shpreh Erdoğan, duke shtuar “është e thjeshtë sa ajo”.
Erdoğan të martën viziton Azerbajxhanin
Më tej, president Erdoğan përsëriti se Malësia e Karabakut i përket Azerbajxhanit dhe se ka qenë nën pushtimin e Armenisë për 28 vite.
Erdoğan njoftoi se të martën ai do të realizojë një vizitë në Azerbajxhan së bashku me zonjën e parë për të marrë pjesë në ceremonitë.
Azerbajxhani po përgatitet për një paradë ushtarake në sheshin Azadliq (Pavarësia) në kryeqytetin Baku, ku do të shfaqen automjete të blinduara dhe armë të tjera të marra nga ushtria armene.
Megjithatë, një njoftim zyrtar mbi datën e ceremonisë ende nuk është bërë.
Malësia e Karabakut është një territor i njohur i Azerbajxhanit.
Përplasjet e reja në këtë territor shpërthyen më 27 shtator dhe gjashtë javë më vonë përfunduan me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, të konsideruar si një fitore për Azerbajxhanin dhe humbje për Armeninë.
Top Channel