Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksionet ekonomike të premten ndaj kompanive kineze dhe ruse që Uashingtoni tha se kishin mbështetur zhvillimin e programit të raketave të Iranit.
Të katër firmat, të akuzuara për “transferimin e teknologjisë dhe mjeteve sensitive për llogari të programit raketor të Iranit”, do t’i nënshtrohen kufizimeve në raport me ndihmën e qeverisë amerikane dhe në eksportet e tyre për dy vjet, tha sekretari i shtetit Mike Pompeo në një deklaratë.
Sanksionet e vendosura ishin kundër dy kompanive me bazë në Kinë, “Chengdu Best New Materials” dhe “Zibo Elim Trade”, si dhe grupit “Nilco” me bazë në Rusi dhe kompanisë që operon në tregun e aksioneve “Elecon”. “Ne do të vazhdojmë të punojmë për të penguar përpjekjet e Iranit për prodhimin raketave dhe do të përdorim mekanizmin tonë të sanksioneve për të nxjerrë në pah furnizuesit e huaj, të tilla si këto njësi në Kinë dhe Rusi, që sigurojnë materiale dhe teknologji të lidhura me raketat në Iran”, shtoi zoti Pompeo.
Presidenti Donald Trump mori vendim të largojë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin në 2018, marrëveshje kjo e nënshkruar tre vite më parë nën Presidentin e atëhershëm Barack Obama. Që aso kohe zoti Trump ka rivendosur sanksione të ashpra ndaj republikës islamike si pjesë e asaj që ai e quan një fushatë “presioni maksimal”.
Administrata Trump gjithashtu ka treguar vendosmërinë e saj për të vendosur sanksione ndaj çdo vendi apo kompanie të huaj që nuk i përmbahet politikave të saj ndaj Iranit.
Top Channel