Presidenti iranian, Hassan Rohani ka thënë se Izraeli ka vepruar si “mercenar” i Shteteve të Bashkuara, për vrasjen e një shkencëtari iranian afër Teheranit.
“Edhe një herë, duart e liga të arrogancës globale, me regjimin uzurpator zionist si mercenar, u njollosën me gjakun e një djali të këtij kombi”, ka thënë Rohani në faqen e tij zyrtare më 28 nëntor.
“Arroganca globale” është shprehje që shpesh përdoret nga zyrtarët iranianë për t’iu referuar Shteteve të Bashkuara “ndërsa regjimi uzurpator zionist”, është referencë për Izraelin. Shkencëtari bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh u vra afër Teheranit më 27 nëntor, në një sulm që kërcënon përshkallëzimin e tensioneve mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Irani ka fajësuar menjëherë Izraelin për vrasjen, ndërsa ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në mënyrë direkte ose jodirekte në sulm.
Vrasja ndodhi kur një kamion shpërtheu afër makinës në të cilën ndodhej Fakhrizadehun në qytetin Absard, afër Teheranit. Kur makina ndaloi, të paktën pesë agresorë u përleshën me pjesëtarët e ekipit të sigurisë së shkencëtarit. Ministri i Jashtëm Iranian, Mohammad Javad Zarif tha se “ka shenja serioze për rolin e Izraelit” në vrasje. Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian “që t’i japë fund standardeve të dyfishta dhe të dënojë këtë akt të terrorizimit shtetëror”.
Izraeli nuk është deklaruar për vrasjen e Fakhrizadehut, ashtu sikurse Pentagoni, Shtëpia e Bardhë, Departamenti amerikan i Shtetit, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA).
Top Channel