Vijon bashkëpunimi me homologët, për evidentimin dhe riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që kanë tentuar për të kërkuar azil në vendet e BE-së apo në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vijim të operacioneve të riatdhesimit, gjatë dy javë të fundit, nga Franca dhe Anglia janë realizuar 4 operacione riatdhesimi të shtetasve shqiptarë, me 2 avionë të posaçëm nga Franca dhe 2 Anglia.
Në total janë riatdhesuar 112 shtetas që kishin kërkuar azil abuziv në këto vende.
Gjithashtu, në kuadër të parandalimit dhe ndëshkimit ligjor të atyre shtetaseve që braktisin të miturit në vendet e BE-së, me qëllim fitimin e azilit, janë evidentuar 2 raste (një në Rinas dhe një në Kakavije). Policia ka proceduar penalisht dy persona përgjegjës për veprën penale “Braktisja e të miturve”.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, nuk do të tolerojë asnjë rast të migrimit të paligjshëm apo të abuzimit me lëvizjen e lirë. Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata shtetas që udhëtojnë drejt hapësirës SCHENGEN, të mos tentojnë të kërkojnë azil, sepse është përpjekje e dështuar dhe do t’u refuzohet menjëherë kërkesa, nëse kanë këtë qëllim.
Rruga e vetme është migracioni i ligjshëm.
Top Channel