350 banorë të Njësisë Administrative Ndroq, të cilët mbetën të pastrehë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, do të sistemohen në një lagje të re, të urbanizuar, me shtëpi të reja.
Një vit pas tërmetit tragjik, nisi sot ndërtimi i 74 shtëpive në një bllok tërësisht të ri banimi, ndërkohë që vijon procesi i rindërtimit për 83 shtëpi të tjera, në po këtë njësi.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se Shqipëria do te ringrihet.
“Lagjja e Re do të jetë 15 minuta nga Tirana dhe 15 minuta nga plazhi. Transferohen 74 familje, 350 banorë buzë rrugës kryesore. Është një mundësi e shkëlqyer, sidomos për fëmijët që të kenë akses në të gjitha institucionet dhe të kenë të njëjtin shans për të qenë të suksesshëm në jetë. Secili gëzon pronën, ama, transferohen aty ku secili e ka lakmuar të jetë, buzë rrugës, shumë afër qendrës së qytetit, afër plazhit nesër dhe akseve rrugore të Shqipërisë”,
Nga ana tjetër, kryebashkiaku tha se askush nga ata që kritikojnë sot nuk ka të drejtë morale të flasë, për aq kohë sa nuk ka dhënë vetë as kontributin më minimal për t’iu ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara nga tërmeti.
“Jemi në rrugë të mbarë me fillimin e Kampusit të ri në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe lagjeve të reja në zonat urbane, siç është Kombinati apo ‘5 Maji’. Më e mira është padyshim përpara! Sigurisht, ka kukuvajka që nuk pushojnë, por unë besoj se dikush që ka shtuar 4 vila gjatë tërmetit, nuk ka të drejtë morale të ankohet. Kur Monika dhe Luli të japin shtëpinë e tyre të parë, atëherë do fitojnë të drejtën morale të japin mend si bëhen këto punë. Por, për sa kohë që janë të rrënuar moralisht, do të duhet që t’i injorojmë, të vazhdojmë përpara dhe besoj që puna do flasë më shumë se çdo fjalim përkujtimor në vitin e parë të tërmetit, apo edhe në vitet që do të vijnë”.
Top Channel