Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, teksa u ndal te tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit të shkuar dhe pandemia, zbuloi se Rama sot nuk do të jetë në Kuvend, pasi ka udhëtuar drejt Dubait, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas Ballës, në këtë 1-vjetor të tërmetit tragjik, Rama do të bëjë një marrëveshje përmbyllëse, në një kohë kur ju kujtojmë se Emiratet e Bashkuara Arabe në Konferencën e Donatorëve në shkurt dhuruan për Shqipërinë 70 milionë euro për Rindërtimin. Po kështu nuk munguan as kritikat ndaj opozitës.
“26 nëntori i 2019 ishte dhe do mbetet në kujtesë si momenti më i vështirë për gjeneratën tonë. Shumë familjeve shqiptare iu desh të përballen me pasojat e një tërmeti apokaliptik. 3 muaj pas tërmetit nisëm të merreshim me humbjet në luftën me virusin e rrezikshëm. 26 nëntori 2019 la pas 51 viktima, mbi 1 mijë të plagosur, thuajse 14 mijë familje që humbën gjithçka, kishin. I pari që mbërriti në Durrës ishte Edi Rama. Pas pak çasteve filloi misioni i kërkim shpëtimit në rrënoja. Mirënjohje për solidaritetin te fqinjëve e miqve në ato momente, qoftë në orët e para të tërmetit, qoftë me mbështetjen e paimagjinueshme të bërë shembull në konferencën e donatorëve. I thamë çdo familje e çdo shqiptari i shqiptareje, ti s’do të jesh kurrë vetëm. E përballuam me përgjegjësi. Kurrë më parë Shqipëria nuk ishte përballur me këtë vështirësi. Do i mbajmë mend gjatë, si rrallë herë kur shqiptarët u bënë bashkë. Ishte moment i veçantë, por ndonjë në krahun tjetër politik nuk e zgjati solidaritetin. Kulmoi me një shpërthim si ai i ditëve të fundit, fill pas suksesit të konferencës së donatorëve, ndërkohë që po vijnë. Politikanë të pashpresë, ushtarë të dëshpëruar, njerëz të trembur në palcë nga efektet që sapo kanë filluar të reformës në drejtësi. Të gatshëm të përdorin një fatkeqësi apo pandemi për ankth, panik e rrëmujë. Gjatë një viti në Shqipëri është zhvilluar dhe po zhvillohet edhe një betejë me panikun që duan të përhapin kasandrat e opozitës. Basha, i vetmi shqiptar që u zgjua me dy vila pas tërmetit, flet me lot krokodili në kur shkon çadra. Kurse me pandeminë kasandrat kanë shkuar në makabritet. Qoftë duke folur për numrat në morgje, qoftë me konferencat nga divanet në FB”.
Më tej Balla shtoi:
“Kundërshtojnë thirrjen për të mos qëndruar në shtëpi, për të vendosur maskën etj. Vetëasgjesimi i çdo norme morale nga opozita, degradoi në akuzat për fshehjen e vdekjeve dhe pasojave të pandemisë, qoftë në maj. Basha s’ka pasur as pikë turpi, as nder, as respekt. Qoftë për tërmetin apo pandeminë. Të bësh politikë me vdekjen, e të sulmosh mjekët është një turp që nuk harrohet për sojin e tij. Rama po përmbyll një nga marrëveshjet më të mëdha të Rindërtimit, që në kushte e kohë të vështira duhen njerëz të fortë, që dinë të drejtojnë”.
Top Channel