Rama dhe Veliaj në banesën e re të familjes Dervishi në Petrelë, gati kantieri në Kombinat për pallatet e reja

24/11/2020 12:30

Familja Dervishi, në fshatin Stërmas të Petrelës, iu gëzua sot një banese të re, shumë herë më e madhe dhe më e mirë se shtëpia e vjetër, e cila u prish nga tërmeti një vit më parë.

Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj i dorëzuan dokumentet e shtëpisë së re, duke përmbyllur kështu, të gjitha rindërtimet e shtëpive të goditura nga tërmeti i 21 shtatorit.

Kryebashkiaku Veliaj tha se aktualisht në Tiranë janë 1500 shtëpi në proces rindërtimi dhe mbi 1000 familje do ta festojnë Vitin e Ri në strehën e re, ndërkohë që deri në pranverë thuajse të gjitha banesat individuale do të jenë përfunduar.

“Pjesa më e madhe e shtëpive do të përfundojnë para Vitit të Ri. Nuk kemi lënë asnjë familje pas. Në total, në Tiranë janë në proces rindërtimi 1500 shtëpi”, tha Veliaj.

Familja Dervishi falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen e treguar që në momentet e para pas tërmetit dhe gjer në dorëzimin e çelësit të banesës së re. Ndërkaq, këtë javë në Kombinat do të fillojë puna për pallatet e reja.

“Lagjja e re e Vaqarrit edhe e Pezës kaluan me VKM-të e reja. Në Kombinat do hapim edhe një zyrë komunikimi me qytetarët, për të sqaruar mënyrën se si do të funksionojë lagjja e re. Ne besojmë se do fillojmë edhe aty. Janë çuar njoftimet, ka filluar zbrazja dhe që të premten ose të shtunën fillojmë me pallatet e para. Nga ajo që pamë dje, shumica i kishin zbrazur banesat nga gjërat e vlefshme”, theksoi Veliaj.

Rindërtimi po vazhdon me po të njëjtin ritëm si në Tiranë, ashtu edhe në zonat e tjera të vendit. Rindërtimi i shtëpive, i infrastrukturës së përbashkët dhe urbanizimi i lagjeve, ka krijuar një mundësi për t’i transformuar zonat rurale dhe për t’i integruar ato me zhvillimin ekonomik dhe social të zonave urbane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA