Një tjetër hidrocentral i është shtuar zonës së Librazhdit, midis dhjetëra të tjerëve që kanë pushtuar ujërat në lumenj e përrenj.
Një kompani turke është duke ndërtuar një HEC mbi degëzimin e lumit Shkumbin që përshkon zonën e Çermenikës. Pavarësisht marrëveshjes me Ministrinë e Energjetikës, kompania në fjalë edhe pse po merr ujin e kësaj zone nuk ka kryer asnjë investim për ta.
Banorët e Çermenikës protestuan sot ndërsa kërcënuan se do të bllokojnë punimet nëse kompania nuk ndërton rrugën që lidh 7 fshatra.
Edhe pse është përcaktuar si kusht punësimi i banorëve të zonës gjatë një investimi kompani nuk i ka ndihmuar banorët as në këtë drejtim. Asnjë punëtor vendas nuk është kontraktuar gjatë ndërtimit të këtij HEC-i.
Banorët e Çermenikës i kanë dhënë afat kompanisë deri ditën e hënë, në të kundërt do të bllokojnë rrugën dhe punimet e mëtejshme të saj. E kontaktuar nga Top Channel Bashkia e Librazhdit i konsideroi të drejta kërkesat e banorëve ndërsa ka nisur bisedimet ndërmjetësuese me kompaninë.
Top Channel