Zgjedhjet në SHBA/ Kontrolli i Senatit do të përcaktohet në Xhorxhia

13/11/2020 20:34

Kontrolli i Senatit në Kongresin amerikan do të përcaktohet nga dy garat që janë në balotazh në shtetin e Xhorxhias. Në këtë shtet ende nuk janë shpallur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale dhe po bëhet rinumërimi i votave për shkak të rezultatit të ngushtë.

Dy vendet në Senat do të përcaktojnë nëse do të ketë një qeverisje të ndarë gjatë dy viteve të para të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Dy garat për në Senat në Xhorxhia nuk nxorrën një fitues të qartë më 3 nëntor, kështu që votuesit do të shkojnë përsëri në zgjedhjet e balotazhit në janar.

Demokratët Raphael Warnock dhe Jon Ossoff po përpiqen të zëvendësojnë republikanët Kelly Loeffler dhe David Perdue në Senat.

“Këta senatorë republikanë kujtojnë se kanë të drejtën e patjetërsueshme për të fituar përsëri”, tha kandidati democrat Jon Ossoff.

Deri tani, republikanët kanë fituar 50 vende në Senatin e ardhshëm amerikan. Demokratët kanë fituar 46 vende – së bashku me dy të pavarur që zakonisht votojnë me demokratët.

“Nëse demokratët do të jenë në gjendje t’i fitojnë të dyja garat e balotazhit, do të ishte një barazim 50/50 dhe Kushtetuta përcakton se është nënpresidenti ai që kryeson Senatin”, thotë Casey Burgat me universitetin George Washington.

Që do të thotë se nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të ishte vota përcaktuese në Senat – duke siguruar një rrugë të ngushtë për planin legjislativ të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

“Padyshim që do të ishte shumë më mirë nëse do të kishim një barazim në Senat, që do të thotë se kjo nënpresidente do të bëhej jashtëzakonisht e rëndësishme përtej asaj që ajo është tanimë”, tha presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Por nëse republikanët fitojnë një ose të dyja vendet, perspektiva e presidencës së zotit Biden do të ndryshonte ndjeshëm.

“Mbajtja e kontrollit të Senatit nga republikanët dhe veçanërisht Mitch McConnell, do të përbënte pengesë për të realizuar ambiciet progresiste për të cilat bëri fushatë kandidati Joe Biden-i. Pra, do të thotë se do të miratohen më pak ligje në përgjithësi dhe padyshim jo aq progresiste sa do të dëshironte ai”, thotë Casey Burgat.

Xhorxhia ka qenë tradicionalisht një bastion i republikanëve, por kjo po ndryshon pjesërisht për shkak të përpjekjeve për të nxitur njerëzit të votojnë, organizuar nga demokratja Stacey Abrams.

“Xhorxhia ka pasur potencial për vite me radhë – ne tani po i kushtojmë vëmendje.”

Kandidatët Ossoff dhe Warnock përfaqësojnë demografinë e ndryshuar të këtij shteti – ndërsa republikanët Loeffler dhe Perdue do të inkurajojnë bazën besnike të Presidentit Trump të dalë në votime.

“Për shkak të implikimeve kombëtare të balotazhit në Xhorxhia, të dyja palët mendoj se do të dalin të votojnë dhe po shohim tashmë një sasi të konsiderueshme investimesh dhe përpjekjesh”, thotë ekspertja Capri Carafano.

Votimet e hershme në Xhorxhia fillojnë në mes të dhjetorit – dita e zgjedhjeve të balotazhit është 5 janari 2021./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA