Kur Joan Martin mësoi se Joe Biden ishte shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale, kjo infermiere në pension dhe mbështetëse e presidentit Donald Trump ishte thellësisht e tronditur. Për t’i dhënë vetes forcë, ajo mendoi se si shtëpia e saj e kaloi uraganin Katrina kur ai goditi qytetin e saj të lindjes Pikajni në Misisipi, në vitin 2005. Ndërsa stuhia shpërtheu drejt qytetit, zonja Martin doli me shpejtësi në oborrin e shtëpisë së saj për të shpëtuar 85 pulat që mbante. Jashtë, erërat ulëritëse goditën hambarin e familjes, duke shkulur skajet e çatisë.
“Të nesërmen ato (pulat) ishin shumë të shqetësuara nga ndryshimet në oborr, ku kishte pemë të rrëzuara”, tha 79 vjeçarja Martin. “Por brenda dy ditësh, ato e morën veten. Kështu që unë duhet të ndjek shembullin e tyre”. Në të gjithë vendin, shumë nga 71.9 milionë njerëzit që votuan për Presidentin Trump, veçanërisht baza e tij besnike, po përpiqen ta marrin veten nga emocionet e trazuara pas humbjes së tij. Hidhërimi, zemërimi dhe tronditja janë ndër ndjenjat e shprehura nga mbështetësit që menduan se ai do të shënonte një fitore të fortë.
Ka edhe nga ata që nuk e pranojnë se ka ndodhur. Shumë janë skeptikë ndaj rezultatit, duke thënë se nuk i besojnë shpalljes nga media të zotit Biden fitues të zgjedhjeve, mënyrës sesi zyrtarët e zgjedhjeve numëruan fletëvotimet, të gjithë sistemit të votimit në Amerikë. Pikëpamjet e tyre i bëjnë jehonë pretendimeve të pabazuara të Presidentit Trump që nga dita e zgjedhjeve.
Kjo ndodh pavarësisht faktit se zyrtarët shtetërorë dhe ekspertët e zgjedhjeve thonë se zgjedhjet e vitit 2020 u zhvilluan pa probleme në të gjithë vendin dhe pa parregullsi të përhapura. Presidenti Trump dhe republikanët kanë theksuar probleme të izoluara, por shumë prej tyre shpjegohen me gabime njerëzore. Shumë nga paditë ligjore të ekipit të fushatës së Presidentit Trump janë hedhur poshtë në gjykatë. Dhe me epërsinë e fortë të zotit Biden ndaj Presidentit Trump në shtetet kryesore fushë-betejë, asnjë nga ato probleme nuk do të kishte ndonjë ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Megjithatë, çdo mundësi e vogël për parregullsi është e mjaftueshme për disa mbështetës të Presidentit Trump. Komentet e tyre paraqesin një sfidë politike për presidentin e zgjedhur: Sa më gjatë që Presidenti Trump hedh dyshime mbi legjitimitetin e fitores së zotit Biden, aq më e vështirë do të jetë për presidentin e ri që të bashkojë vendin, siç ka thënë ai që dëshiron të bëjë. “Në të vërtetë nuk jam i predispozuar për ta pranuar me lehtësi këtë”, tha 39 vjeçari Daniel Echebarria, mësues në Sparks të Nevadës.
Zoti Echebarria tha se ishte i befasuar nga rezultatet e zgjedhjeve; ai vë në pikëpyetje disa nga rezultatet dhe do të dëshironte të shihte presidentin të vazhdonte sfidat e tij ligjore. Por ai gjithashtu tha se nuk e konsideron rezultatin “një punë të madhe të manipulimit” dhe nuk dëshiron ta shohë Presidentin Trump të mohojë rezultatet në janar. Megjithatë, ai nuk është gati për të qenë i hapur drejt punës për bashkim.
Zoti Echebarria tha se ai beson se demokratët kurrë nuk i dhanë Presidentit Trump një shans për të qeverisur dhe përmendi hetimin për ndërhyrjen e Rusisë dhe procesin (e dështuar) për shkarkimin e tij si shembuj të pengesave ndaj Presidentit. “Unë mendoj se presidenti ishte i penguar në përpjekjet për të realizuar shumë pika të axhendës së tij sepse ishte i detyruar të shpenzonte shumë kohë për t’u mbrojtur nga këto sulme”, tha ai.
Disa mbështetës të Presidentit Trump të intervistuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press” në ditët e fundit ishin të irrituar nga festimet për fitoren e zotit Biden në qytetet liberale. Ata panë hipokrizi në publik, tubimet përjashta pasi demokratët dënuan mbështetësit e Presidentit Trump për pjesëmarrjen në tubime të mëdha, disa prej të cilave u mbajtën në salla të mbyllura, mes pandemisë së koronavirusit. “E trishtuar” kështu e përmbledh reagimin e saj Lori Piotrowski. Presidentja e klubit të Grave Republikane të Qytetit Boulder në Nevada në fillim ishte pesimiste ashtu si çdo mbështetës tjetër i Presidentit Trump.
“Njeriu gjithmonë do që kandidati i tij të fitojë. Jam pak e dëshpëruar. Punova shumë për këtë”, tha ajo. Por zonja Piotrowski gjithashtu e përshkroi veten si “jashtëzakonisht” të befasuar nga rezultati i zgjedhjeve. Ajo po përpiqet të barazpeshojë versionin e saj të fushatës me rezultatet. Ajo thotë se pa shumë imazhe të tubimeve të mëdha të Presidentit Trump në ditët e fundit. Në një udhëtim të fundit nga Las Vegasi në Reno, përmes rajoneve rurale të Nevadës, me prirje republikane, ajo pa vetëm shenja dhe pankarta në mbështetje të Presidentit Trump, thotë ajo.
“Votat nuk pasqyrojnë entuziazmin. Kjo për mua është shumë e habitshme”, tha ajo. Joe Biden fitoi në Nevada duke marrë shumicën e votave në zonat urbane të shtetit. Zonja Piotrowski, si shumë mbështetës të tjerë të Presidentit Trump, dëshiron që sfidat ligjore të zotit Trump të vazhdojnë. Një rritje masive e votimit me postë dhe numrimi i tyre më i ngadaltë ka bërë që procesi të duket i paqartë dhe i çuditshëm. Zonja Piotrowski tha se ishte e shqetësuar që fituesi shpallej pavarësisht se kishte një numër të lartë votash ende të panumëruara.
“Thjesht më duket se ka shumë gjëra që mund të përmirësohen në sistem në mënyrë që njerëzit të ndjehen më të sigurtë”, tha ajo. Ajo theksoi se nuk ka dëgjuar asnjë nga fjalimet e zotit Biden që nga dita e zgjedhjeve. Za Awng nga Aurora e Kolorados ka gjithashtu dyshime për procesin e numërimit të votave. Awng, i cili erdhi në Shtetet e Bashkuara si refugjat nga Mianmari, e ka përqafuar Presidentin Trump si një politikan që i bën jehonë bindjes së tij se ndikimi i Kinës në botë duhet të kufizohet ashpër dhe ai ndan vlerat e tij të krishtera. Këtë pranverë, Awng humbi punën e tij si kuzhinier për dy muaj kur pandemia detyroi mbylljen e restorantit ku ai punon. I kthyer në punë tani, ai thotë se falë angazhimit të madh të Presidentit Trump gjatë katër viteve të fundit ekonomia e vendit është përmirësuar. Ishte e vështirë për të që të kuptonte se si presidenti mund të humbiste zgjedhjet.
“Unë besoj se diçka nuk është në rregull”, tha ai, duke përmendur prirjen e rezultateve drejt demokratëve, pas numërimit të votave me postë. Demokratët kishin më shumë prirje se sa republikanët të votonin me postë pasi Presidenti Trump deklaroi pa dhënë fakte se votimi me postë ishte objekt i lehtë manipulimi. “Shpresoj se do të ketë përsëritje të numërimit dhe mbase do të ndryshojë (rezultati)”, tha ai. Edhe në kohë më pak të tensionuara, Jim Czebiniak kërkon ngushëllim në orët e lutjes në mbrëmje. Kështu që kur Czebiniak, një mbështetës i zjarrtë i Presidentit Trump që jeton në Knoks të Nju Jorkut, dëgjoi se Biden ishte shpallur fitues, ai u kthye te besimi i tij në kërkim të një përgjigjeje.
“Unë pyeta Zoti se pse po ndodh kjo? Zoti tha,” Sepse unë jam duke punuar në gjëra (të ndryshme). Vetëm relaksohuni dhe lërini gjërat të funksionojnë vetë”, tha 72 vjeçari Czebiniak, i cili është gjysmë i pensionuar nga puna e tij si programues kompjuterash. “Do ta citoj këngëtarin e Rolling Stones, Mick Jagger:” Ju nuk mund të merrni gjithmonë atë që dëshironi,” tha Czebiniak. Megjithatë, zoti Czebiniak tha se ai është larg gatishmërisë për të pranuar presidencën e zotit Biden. Ai citoi disa pretendime të pabazuara të ekipit të fushatës zgjedhore të Presidentit Trump.
“Në të vërtetë rezultati i zgjedhjeve ende nuk është shpallur”, tha zoti Czebiniak, disa ditë pasi të gjitha kanalet kryesore televizive të Shteteve të Bashkuara dhe Associated Press analizuan numërimin e votave në shtetet fushë-betejë para se të shpallnin zotin Biden fituesin të zgjedhjeve. “Unë nuk besoj në asgjë që po ndodh me numërimin e votave.” Ndryshe nga shumë mbështetës të Presidentit Trump, Michelle Sassouni nuk u trondit nga rezultati i zgjedhjeve ose pasojat.
29-vjeçarja nga qyteti i Tampas në Florida, është anëtare aktive e Klubit të Republikanëve të Rinj në rajon dhe bashkë-drejtuese e programit “Mesatarisht i zemëruar”. Ajo përmendi idenë e emërimit të zotit Biden si kandidat të demokratëve për president dhe potencialin e tij për të fituar, muaj më parë. “Të gjithë qeshën me mua në shfaqje”, tha ajo. Bashkë me shumë miq liberalë, ajo kishte parë kundërshtimin e fortë ndaj Presidentit Trump. Ajo madje disi e kupton këtë. “Nuk më pëlqen gjithçka që ai bën, por unë votova për të sepse unë jam republikane”.
Por Michelle Sassouni nuk sheh rrezik në zotimin e zotit Trump për të luftuar rezultatet në gjykatë. Njerëzit duhet të sigurohen për rezultatet dhe një luftë në gjykatë mund t’u japë atyre besim, tha ajo. “Nëse keni votuar për Joe Bidenin, a nuk do të dëshironi të dini se ai fitoi në mënyrë të ndershme në mënyrë që ai të mos kishte këtë hije mbi kokë?” pyeti ajo. “Nëse gjysma e vendit beson se ka patur një lloj manipulimi zgjedhor, atëherë kjo krijon mosbesim në sistem, që më pas krijon mosbesim në demokracinë perëndimore në tërësi.”
Martin, pensionistja nga Misisipi, thotë se ajo po planifikon të rifillojë jetën e saj të përditshme, duke u kujdesur për kafshët shtëpiake dhe duke shmangur bisedat për ndryshimin e udhëheqjes së vendit si një mënyrë për të përballuar stresin dhe tronditjen që ndjen. “Unë do të dal në oborr për t’u kujdesur për pulat e mia, për të kënduar himnet e mia të vjetra dhe për të kaluar kohën”, tha ajo./VOA
Top Channel