Në konferencën e përjavshme për media, Kreu i Shtetit theksoi se duhen marrë masa të menjëhershme për të përballuar situatën.
“Jam shumë i shqetësuar për numrin në rritje të numrit të të prekurve, por edhe viktimave, nga koronavirusi. Duhen marrë masa të menjëhershme për frenimin e përhapjes së virusit. Është tepër e domosdoshme që qytetarët të testohen, që të dinë të vërtetën për shëndetin e tyre, por edhe që të mbrojnë të tjerët. Shëndeti i tyre nuk duhet të bëhet objekt improvizimesh. Duhet garantuar shtrati spitalor për ata qytetarë që kanë nevojë, kur sëmundja ka përparuar dhe rreziku i humbjes së jetës është i lartë. Duhet siguruar shërbimi në rajone. Duhet miratuar sa më parë nga qeveria rimbursimi i barnave, për ata që trajtohen në banesat”, tha Meta.
Presidenti iu bëri thirrje të gjitha institucioneve kryesore në vend, që nga qeveria, parlamenti e opozita, që të bashkohen për të ndihmuar në rivendosjen e kontrollit të pandemisë.
“Gjithë vëmendja e qeverisë, parlamentit, presidentit, mediave, opozitës, duhet të jetë te rivendosja e kontrollit të pandemisë. Unë vetë isha për një ngushëllim te një moshatar i imi, nesër do më duhet të shkoj sërish në një ngushëllim. Sugjerimet e mia kanë qenë prej kohësh, që në valën e parë të virusit. Kam bërë përpjekjet më të mira, ju e dini kush e prishi paktin me shkatërrimin kriminal të Teatrit Kombëtar në kulmin e gjendjes së jashtëzakonshme. Dhe për fat të keq, pas kaq kohësh që jemi vendi që kemi investuar më pak për përballimin e pandemisë, në krahasim me rajonin, por edhe për mbështetjen e biznesit. Kjo ka shtuar papunësinë, varfërinë dhe bën mjaft të vështirë që shumë qytetarë të përballojnë shpenzimet në familjet e tyre. Spitalet private po bëjnë goxha biznes. Shpreh solidaritetin më të fortë me gjithë mjekët, infermierët, ata po punojnë jashtë cdo mundësie fizike dhe mendore, në kushte mjaft të vështira të një presioni të madh. Jam i mirëinformuar për këtë gjë. Mos të harrojmë që për shkak të migrimit dhe shpopullimit kanë rënë mjaft parametrat me mjek e infermierë për 1 mijë banorë. Janë më të ulëtat në krahasim me gjithë rajonin. Kjo sjell një sforco të madhe të personelit. Kjo kërkon përgjegjshmëri më të madhe nga qeveria, që duhet të jetë më transparente. Nuk është koha për të bërë tendera e PPP. Është koha për të mbështetur shëndetin publik, për të bërë transparencë dhe për të mbështetur edhe shtresat në nevojë të popullsisë”, u shpreh Meta.
Top Channel