Disa shtete të Shteteve të Bashkuara janë duke shqyrtuar mundësinë që të ashpërsojnë kufizimet, pasi është rritur numri i rasteve të reja me koronavirus, si dhe i të hospitalizuarve.

Më 12 nëntor, në SHBA u regjistruan mbi 150,000 infektime të reja, ndërkaq numri i personave që janë hospitalizuar për shkak të sëmundjes COVID-19 – që shkakton koronavirusi i ri – ka arritur në 66,000.

Një në 378 banorët në SHBA kanë dalë pozitivë për koronavirus gjatë kësaj jave, thuhet në të dhënat e një projekti që merret me gjurmimin e COVID-19, teksa ekspertët paralajmërojnë se do të jetë një dimër i errët.

Në shtatë ditët e fundit, SHBA-ja ka regjistruar po ashtu 1,000 viktima në ditë. Kjo shifër është më e ulët se rekordi i regjistruar në muajin prill, ku në baza ditore raportoheshin për rreth 2,200 viktima.

Ekspertët po u bëjnë thirrje njerëzve që të vazhdojnë të jenë vigjilent, teksa ka lajme të mira se një vaksinë efektive kundër virusit mund të jetë e gatshme për përdorim brenda muajsh.

Për shkak të rritjes së rasteve të reja, një sërë shtetesh dhe qytetesh kanë vendosur masa të reja kufizuese.

Qytete të mëdha si Nju Jorku, San Francisko dhe Çikago kanë vendosur masa të reja, përfshirë kufizime në tubime si dhe kanë kufizuar orarin e punës të bareve dhe restoranteve.

Autoritetet në Çikago i kanë bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos pranojnë mysafirë në 30 ditët e ardhshme.

Ndërkaq, në Detroid, Indianapolis, Filadelfi është vendosur që mësimi të mos mbahet në objekte shkollore.

Edhe qyteti i Nju Jorkut ka paralajmëruar se mësimi në shkolla mund të ndërpehet për shkak të rritjes së infektimeve.

Në 34 shtete të SHBA-së, mbajtja e maskës së fytyrës është bërë obligative.

Në ditët e ardhshme, shteti i Uashingtonit, Nju Meksiko dhe Merilend, pritet që në ditët e ardhshme të vendosin kufizime të reja.

Disa guvernatorë nuk e kanë përjashtuar as mundësinë e mbylljes totale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA