Pasi media amerikane parashikoi fitues demokratin Joe Biden, Presidenti Trump ka qëndruar përgjithësisht në heshtje, përveç postimeve në Twitter ku ka ngritur pretendime për mashtrime të gjera me votat.
Të enjten presidenti postoi në Twitter një koment mbi “zgjedhje të manipuluara”. (Siç ka ndodhur në shumë postime të fundit të presidentit, Twitter vuri një paralajmërim me komentin “Ky pretendim për zgjedhje të manipuluara nuk është i vërtetuar”). Presidenti gjithashtu sulmoi rrjetin televiziv Fox News, një kanal lajmesh që e ka mbështetur fuqishëm gjatë presidencës së tij.
Presidenti Trump nuk ka përmendur pandeminë, ndërkohë që ritmet e përhapjes së infeksionit janë rritur ndjeshëm këtë javë dhe janë shtuar edhe pacientët e shtruar në spitale dhe vdekjet e të sëmurëve me COVID.Këshilltari i lartë i ekipit për rizgjedhjen e presidentit, Corey Lewandowski është njëri nga një numër ndihmësish të afërt të presidentit që kanë rezultuar të infektuar me koronavirus. Në komentet që bëri të enjten, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha “Fjalët janë të fuqishme. Kur presidenti flet, fjalët e tij peshojnë një ton. Kohët e fundit kemi dëgjuar gjëra që janë shumë shqetësuese”. Por “shifrat po ashtu flasin rrjedhshëm,” tha ajo duke iu referuar “shifrave tronditëse për 144,000 infeksione të reja” të regjistruara një ditë më parë.
Për muaj me radhë, kur vazhdonte fushatën për rizgjedhje, Presidenti Trump nuk vazhdoi më të merrte pjesë në mbledhjet e Ekipit të Punës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin. Të hënën, nënpresidenti Mike Pence kryesoi mbledhjen për herë të parë në afro tre javë. Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë kritikat e demokratëve se Presidenti Trump, i lënduar nga humbja në zgjedhje, ka hequr dorë para kohe nga udhëheqja e vendit.
“Plotësisht e pavërtetë,” tha zëvendës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere për Zërin e Amerikës. “Siç ka premtuar, Presidenti Trump po lufton fuqimisht për zgjedhje të lira e të drejta, ndërkohë që vazhdon detyrat e tij për ta vënë Amerikën në plan të parë. Ai po punon gjithashtu për të realizuar një paketë të efektshme ndihmash ekonomike, duke angazhuar anëtarë të Kongresit për një propozim që ua bën të mundur autoriteteve shtetërore e lokale t’i përgjigjen pandemisë”.
Shtëpia e Bardhë nxori të enjten disa urdhra ekzekutivë të nënshkruar nga presidenti, përfshirë një që ndalon investimet amerikane në firma kineze që kanë lidhje me ushtrinë kineze. Presidenti Trump u takua për drekë të enjten me nënpresidentin Pence dhe pasdite u takua me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin, sipas Shtëpisë së Bardhë. Presidenti, megjithatë, nuk u pa nga gazetarët të enjten. Një ditë më parë, ai mori pjesë në një ceremoni të Ditës së Veteranëve në mot me shi në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku ai nuk mbajti fjalim.
Presidenti Trump për herë të fundit foli publikisht më 5 nëntor në sallën e konferencave për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. Tre kanale kryesore televizive ndërprenë transmetimin e fjalimit të tij kur ai filloi të ngrinte akuza të pabazuara se demokratët po bënin manipulime dhe po përpiqeshin të vidhnin zgjedhjet e 3 nëntorit. Të enjten ishin mbushur shtatë ditë që nga komentet e 5 nëntorit,koha më e gjatë që Trump ka kaluar pa folur para kamerave gjatë presidencës së tij, sipas faqes së internetit factba.se, që ka bërë një përmbledhje të postimeve të Presidentit Trump në Twitter, fjalimeve dhe politikave të tij.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” dhe media të tjera të mëdha, duke përfshirë Zërin e Amerikës, kanë njoftuar se zoti Biden ka marrë më shumë se 270 votat e nevojshme elektorale për të mundur Presidentin Trump, i cili do të mbetet president deri në ditën e inaugurimit më 20 janar. Presidenti Trump nuk e ka pranuar humbjen dhe ekipi i fushatës së tij ka filluar përpjekjet ligjore në disa shtete për të sfiduar numërimin e votave. Shumica e ligjvënësve republikanë në Kongres duket se vazhdojnë të mbështesin qëndrimin e Presidentit Trump, me vetëm një numër të vogël prej tyre që e kanë njohur zotin Biden si president të zgjedhur të vendit.
Disa senatorë nga partia e presidentit kanë bërë thirrje që zoti Biden të ketë qasje në raportet e nivelit të lartë të shërbimeve të zbulimit, diçka që aktualisht nuk është e mundur sepse Agjencia e Shërbimeve të Përgjithshme nuk e ka çertifikuar zotin Biden si fitues të zgjedhjeve. Është e zakonshme që presidenti i zgjedhur të ketë qasje në hapësirat e zyrave federale dhe punonjësit e qeverisë dhe të marrë raporte sekrete.
“Kjo është me të vërtetë e rëndësishme. Ndoshta është pjesa më e rëndësishme e tranzicionit”, u tha gazetarëve senatorja republikane Susan Collins të enjten, duke iu referuar zotit Biden si “fitues i dukshëm”. Disa senatorë të tjerë republikanë pajtohen me këtë vlerësim, por disa ligjvënës kryesorë nuk janë dakord me këtë qasje. “Unë gjithmonë kam besuar që çdo kandidat nuk duhet të përfshihet domosdoshmërisht në ato (qasjen në raportet e inteligjencës) derisa ai person të bëhet president i zgjedhur, dhe ai nuk është president i zgjedhur”, tha senatori republikan James Inhofe.
“Ne thjesht kishim një palë zgjedhje presidenciale përçarëse dhe intensive”, tha të enjten udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, përkrah kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, demokrates Nancy Pelosi. “Por në vend që të punojmë për të bashkuar vendin në mënyrë që të mund të luftojmë armikun tonë të përbashkët, Covid-19, republikanët në Kongres po përhapin teori konspirative, duke mohuar realitetin dhe duke helmuar burimin që ushqen demokracinë tonë.”/VOA
Top Channel