Presidenti i zgjedhur Biden merr Arizonën, konsolidon fitoren

13/11/2020 16:43

Presidenti i zgjedhur Joe Biden konsolidoi fitoren e tij në zgjedhje duke marrë të enjten vonë shtetin fushëbetejë të Arizonës.

Megjithatë procesi i tranzicionit të administratave mbetet i bllokuar pasi Presidenti Donald Trump refuzon të pranojë humbjen.

Numërimi i votave në Arizona zgjati më shumë se një javë. Zoti Biden bëhet kandidati i dytë demokrat për president në shtatë dekada që fiton në këtë shtet tradicionalisht republikan.

Fitorja e zotit Biden në Arizona i jep atij 290 vota elektorale në Kolegjin Zgjedhor, i cili në SHBA përcakton fituesin.

Ai kishte kaluar tashmë pragun e 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral, për të fituar zgjedhjet. Të 11 votat shtesë të Arizonës e bëjnë edhe më të vështirë çdo sfidë të paraqitur nga Presidenti Trump për të përmbysur rezultatin e përgjithshëm.

Zoti Biden gjithashtu ka një epërsi prej më shumë se 14,000 votash në shtetin Xhorxhias, ku numërimi është në fazat e fundit dhe ku është gati e sigurt se rezultati i përgjithshëm do të qëndrojë në favor të kandidatit demokrat megjithë një rinumërim e votave me dorë që fillon sot.

Në shkallë vendi, zoti Biden ka fituar votën popullore me më shumë se 3.4 për qind ose 5.3 milion vota ndaj rivalit të tij.

Presidenti Trump, pretendon pa paraqitur prova, se në zgjedhjet e 3 nëntorit ka patur mashtrim në shkallë të gjerë, por sfidat e tij ligjore kanë dështuar në gjykatë dhe zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve nuk raportojnë parregullsi serioze.

Për të qëndruar në detyrë për një mandat të dytë, zotit Trump do t’i duhej të përmbyste epërsinë e rivalit të tij në të paktën tre shtete, por në asnjërin prej tyre nuk ka paraqitur prova që të mund ta arrijë këtë./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA