Mbi 9 mijë e 400 raste aktive me koronavirus janë aktualisht në Kosovë dhe klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë mbushur me pacientë.

Një spital i veçantë për këta pacientë, është i domosdoshëm në këtë kohë kur numrat e të infektuarve po rriten çdo ditë, thonë në Klinikën Infektive në QKUK.

Për të gjetur një zgjidhje për këtë, më 20 shtator, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, tha se ‘Spitali COVID-19’ me 500 shtretër, do të jetë gati shumë shpejt.

“Po përgatitemi për çdo skenar. Ministria e Shëndetësisë ditëve në vijim do ta bëjë gati ‘Spitalin për COVID-19’, me 500 shtretër në Prishtinë”, kishte shkruar ndër të tjera ministri Zemaj në profilin e tij në Facebook.

Por, ky spital me këta shtretër për të cilët kanë nevojë klinikat në QKUK, ende nuk është gati.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje gjatë së enjtes nga ministri Zemaj për të ditur më shumë se kur do të jetë gati ky spital, mirëpo ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përballjen me COVID-19 e ka cilësuar si ‘një situatë të luftës’, pas vizitës që bëri të enjten në Klinikën Infektive, bashkë me minisitrin Zemaj.

Hoti ka kërkuar që të rritet efikasiteti në ofrimin e shërbimeve në QKUK dhe në spitalet rajonale, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të valës së dytë të pandemisë.

“Jemi duke bërë përpjekje maksimale bashkë me stafin mjekësor që të përmirësojmë furnizimin me oksigjen, të adaptojmë klinikat me shtretër shtesë, të angazhojmë krejt stafin, mjekë nëpër fusha të ndryshme, që të bëjnë punën ekipore për t’u dalë në ndihmë pacientëve”, tha kryeministri Hoti.

Klinikat në QKUK të mbushura me pacientë

Në dy javët e fundit, në Kosovë është rritur numri i testimeve për COVID-19 dhe po ashtu është rritur edhe numri i të infektuarve dhe i të vdekurve.

Në shumicën e klinikave në QKUK, është duke u punuar me kapacitete të plota dhe ato janë të stërmbushur me pacientë. Situatë e njëjtë është edhe në spitalet rajonale.

Infektologu Salih Ahmeti tregon për Radion Evropa e Lirë se në javët e fundit, nuk kanë mundur t’i pranojnë në Klinikën Infektive të gjithë ata pacientë që kanë pasur nevojë për hospitalizim.

Ata janë dërguar në klinika të tjera, si në Pulmologji apo edhe në Mjekësinë Sportive.

“Në dhjetëditëshin e fundit është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë të domosdoshme për hospitalizim. Kryesisht janë raste të rënda, raste të cilat duhet të hospitalizohen dhe duhet të trajtohen me urgjencë. Në Klinikën Infektive ka dy javë apo dhjetë ditë që punojmë me kapacitete të plota”, thotë Ahmeti.

Infektologu Ahmeti thotë se një spital i tillë me 500 shtretër, është i domosdoshëm në këtë kohë, marrë parasysh se me fillimin e stinës së dimrit, situata epidemiologjike do të vështirësohet edhe më shumë.

“Është më se i nevojshëm dhe ai spital duhet të jetë në dispozicion tonin sa më parë. Dashtë Zoti të mos kemi nevojë ta shfrytëzojmë, por ne duhet të përgatitemi për rastet më ekstreme të kësaj epidemie. Ne kemi nevojë të kemi numër më të shtuar të shtretërve për personat që kanë nevojë për hospitalizim dhe në mënyrë të veçantë ata që kanë nevojë për kujdes intensiv”, thotë Ahmeti.

Çfarë është ‘Spitali COVID-19’?

Me qëllim të rritjes së kapaciteteve për t’u përballur sa më mirë me pandeminë e koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), synojnë të bëjnë gati ‘Spitalin COVID-19’.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, objekti i Klinikës Emergjente do të adaptohet për nevojat e pacientëve me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

‘Spitali COVID-19’ është paraparë të ketë 500 shtretër dhe do të hospitalizohen kryesisht pacientët me COVID-19.

Ushtruesi i detyës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 22 tetor, pati deklaruar se janë duke përgatitur infrastrukturën në QKUK, që të ketë sa më shumë shtretër në dispozicion për pacientët me COVID-19.

Krasniqi kishte thënë se janë në përfundim të punimeve në objektin e Mjekësisë Sportive, për t’u vendosur shtretër shtesë, si dhe është duke u bërë zgjerimi i rrjetit me oksigjen dhe furnizimit të pajisjeve me oksigjen për gjitha spitalet në Kosovë.

Që nga fillimi pandemisë në muajin mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 26,888. Prej tyre, 784 pacientë kanë humbur jetën dhe 16,685 janë shëruar, derisa janë edhe 9,418 raste aktive.

Të enjten, Qeveria e Kosovës miratoi masa të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat do të hyjnë në fuqi të premten, nga ora 18:00./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA